2009-05-06 18:36:51

Mëse 100 të vdekur nga sulmet amerikane në Afganistan. Popullsia nuk i duron më të huajt.


(06.05.2009 RV)Mëse njëqind vetë, ndër të cilët shumë civilë, mbetën të vrarë në Afganistanin perëndimor gjatë një sulmi ajror të forcave amerikane në provincën Farah, në natën ndërmjet së hënës e së martës. Për ngjarjen është hapur një proces hetimor, ndërsa nga Uashingtoni ku ndodhet, presidenti afgan Hamid Karzai e përkufizoi si “të pajustifikueshëm e të papranueshëm” këtë episod të ri lufte, në të cilin humbën jetën civilë të pafajshëm. Tragjedia ndikoi në bisedën e parë të Karzait me presidentin amerikan, Barak Obama, por pati ndikim edhe më të madh në opinionin publik afgan. Të dëgjojmë përgjegjësin e një projekti humanitar të Karitasit italian në Kabul, atë Xhakomo Rosinjin:
Tashmë mendoj se njerëzit janë shumë të lodhur. Vetëm vitin e kaluar kemi pasur 2850 të vdekur. Në këto sulme ushtarake, thuhet se do të goditen drejtpërdrejt talebanët rebelë, por pastaj përfshihen edhe shtëpitë me gra e fëmijë, me shumë civilë. Njerëzit kanë filluar të mos e durojnë më këtë. Nuk kanë më besim në praninë e ushtarëve dhe i shohin gjithnjë e më tepër si pushtues. Edhe presidenti Karzai hap gjithnjë procese hetimore, por nuk dihet kurrë se kur do të përfundojnë.
Sipas jush, si ndodh që gjithnjë bëhen gabime kaq të rënda nga ana e koalicionit ndërkombëtar?
Arësyeja themelore është se talebanët e kanë zakon të fshihen edhe nëpër shtëpi. Nëse jemi të sigurtë që brenda ka edhe fëmijë, nuk duhet të qëllojmë; por kjo nuk ndodh. Natyrisht që njerëzit, të detyruar të jetojnë në këtë gjendje, nervozohen, bëhen të këqinj e përforcojnë mendimin se ndërkombëtarët duhet të largohen. Po sjellin mirëqënien? Deri tani, nuk e kemi parë këtë mirëqënie, kemi parë vetëm masivët me betonarme para ambasadave dhe ndërtesave të Organizatave të mëdha jo qeveritare.
Pra, gjendja e keqe i bën njerëzit të mos e ndjejnë edhe aq frikën nga rreziku i kthimit të regjimit të talebanëve?
Po, sepse pavarësisht se ekziston kjo frikë, thonë: “Në fund të fundit, me talebanët kishim pak më shumë rregull”. Këto janë pasojat kur ata në të cilët ke besim, nuk arrijnë të të japin atë që do. Në vitet e para, këtu janë hedhur miliarda nga organizatat ndërkombëtare, por korrupsioni është i jashtëzakonshëm, nga i pari tek i fundit. Pa dyshim që diçka është bërë, por në këndvështrimin e përgjithshëm, nuk ka drita, nuk ka rrugë të asfaltuara, jetohet keq, diçka që preket me dorë çdo ditë.

Ndërkaq, Komisioni Evropian ka caktuar një paketë prej 35 milion eurosh për viktimat e konfliktit e të katastrofave natyrore në Afganistan. Fondet janë edhe për refugjatët afganë në Pakistan e Iran.








All the contents on this site are copyrighted ©.