2009-05-06 18:23:59

Maji i Zojës: ta themi çdo ditë Rruzaren: ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues.


(06.05.2009 RV)Dihet se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës.
Megjithatë lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit.
Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik.
Me kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.
Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq.
Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve, që po kremtojmë këto javë, pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur.
Festat e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë me dy misteret e fundit.
Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e tri serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë.
Duhet vërejtur edhe se Rruzarja, duke na bërë të përshkojmë më shpesh ciklin e mistereve të Mishërimit, të Kryqit e të Lumturisë së Zotit, na ndihmon të perceptojmë unitetin e thellë të misterit të Krishtit, që liturgjia e shpalos gjatë një viti të tërë.
Ta themi, pra, këto ditë të bukura maji Rruzaren, duke medituar misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë dritë mbi Kishën.







All the contents on this site are copyrighted ©.