2009-05-06 18:22:37

Kardinali Bertone Rojeve Zvicerane: vigjilencë e lutje!


(06.05.2009 RV)Seriozitet, përkushtim, besnikëri, vigjilencë: janë cilësitë e Rojes Zvicerane, që i kujtoi sot paradite kardinali Tarçizio Bertone në Meshën Shenjte, kremtuar në bazilikën e Shën Pjetrit, në përkujtim të dy datave kryesore, që e lidhin Selinë e Shenjtë me Rojen Zvicerane: 22 janarit të vitit 1506, kur 150 burrat e parë zviceranë u vunë në shërbim të Papës Juli II e sidomos 6 majit 1527, ditës së flijimit të 147 Rojeve Zvicerane në mbrojtje të Papës e të Vatikanit, viktima të sulmit e të plaçkitjeve të lancikenekëve.
“Acriter et fideliter! – Me guxim e besnikëri!”, janë fjalët e betimit të Rojeve Zvicerane e kardinali Bertone i kujtoi gjatë Meshës së sotme në bazilikën e Shën Pjetrit, përplot me rojet, familjarët e miqtë e tyre. Rreth elterit të katedrës, ku kremtohej Mesha, spikasnin e kuqja, e verdha e bluja e uniformave të paradës që kishin veshur Rojet në festë e flamujt me kryq të bardhë në fushë të kuqe.
Kardinali Bertone u ndalua posaçërisht tek rëndësia që ka shërbimi i tyre e tek serioziteti, me të cilin duhet kryer ky shërbim kaq i posaçëm:
“Të gjithë e dimë sa e rëndësishme e delikate është detyra, që u besohet Rojeve Zvicerane Papnore: janë roje të posaçme të vetë Papës, të Pallatit Apostolik e të hyrjeve në Qytetin e Vatikanit si dhe Roje sigurie e nderi gjatë kremtimeve publike të Atit të Shenjtë. Shërbimi juaj, të dashur miq të Rojes Papnore, sa cilësor, aq edhe i çmuar, kërkon seriozitet, përkushtim, besnikëri e vigjilencë”.
Kujtojmë se tridhjetë e tre vjet më parë Pali VI i shpërndau të gjitha trupat ushtarake papnore, por Rojet Zvicerane mbetën gjithnjë në krye të misionit të tyre, sepse model i shërbimit besnik e guximtar në Kishë, miq të Zotit e njerëz të vënë në shërbim të paqes.
Më se 500–vjet në shërbim të papëve, historia e tyre flet nga breznia në brezni për vlerën njerëzore, për shpirtin e krishterë, për dashurinë shembullore ndaj Krishtit e Kishës së tij. Me këto ndjenja Rojet Zvicerane Papnore e ndoqën edhe sot paradite Meshën solemne, ndërsa pasdite, duke nisur nga ora 17.00, u mblodhën rishtas në Oborrin e Shën Damasit për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të 32 rekrutëve të rinj, që iu shtuan ushtrisë së vogël guximtare të Papës gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.
Kujtojmë edhe se shumë nga Rojet, pas përfundimit të shërbimit, mbeten përgjithnjë në Vatikan, ose zgjedhin edhe rrugën e meshtarisë, sepse të jesh Roje Zvicerane do të thotë të vësh tërë vetveten në shërbim të Krishtit e të Kishës, gati për të dhënë për këtë edhe jetën”, siç thekosi sot gjatë Meshës kardinali Tarçizio Bertone, duke u shprehur të rinjve zviceranë edhe mirënjohjen e thellë të Papës Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.