2009-05-06 18:23:29

Atë Picabala: udhëtimi i Papës, inkurajim i madh për bashkësinë e vogël të Tokës Shenjte.


(06.05.2009 RV)RealAudioMP3 Pas dy ditësh pra, Papa do të niset për në Tokën Shenjte: një shtegtim, që në tetë ditë, do ta çojë në Jordani, Izrael e në Territoret palestineze. Bashkësia katolike e vendit e pret me padurim, siç na tregon në mikrofonin tonë, Rojtari i Tokës Shenjte, françeskani atë Pierbatista Picabala:
Është një udhëtim i menduar pikë së pari për to, pikërisht për këto bashkësi që vuajnë, që ndjehen pak të izoluara. Prandaj, kjo vizitë është një moment shumë i fortë dhe i rëndësishëm, pasi është një inkurajim i madh dhe një thirrje për Kishën universale, të shikojë drejt Tokës Shenjte, të kujtohet për këto bashkësi.
Të krishterët e Tokës Shenjte mendojnë se udhëtimi i Papës mund të shfrytëzohet për qëllime politike…
Instrumentalizimi në këtë vend është gjithnjë i lehtë, por nëse do të na duhej të bënim gjithë këto llogari, nuk do të organizonim asgjë. Prandaj, Papa do të vijë me siguri, me lirinë për ta bërë këtë gjest të rëndësishëm për bashkësitë e krishtera, pa përjashtuar aspektin ndërfetar e as atë politik. Nëse pastaj do të ketë instrumentalizime, nuk duhet të shqetësohemi.
Atë Picabala, si shkon puna e vizave për rregulltarët e Tokës Shenjte, sidomos për ata që vijnë nga vendet arabe? A u zhbllokua gjendja?
Edhe po, edhe jo, shkon me periudha. Tani, në këtë çast, ndoshta edhe për shkak të vizitës së Papës, ka lehtësira, por akoma nuk kemi një procedurë të qartë. Megjithatë, kohët e fundit, lejet e qëndrimit na i kanë dhënë.
Ç’po bën Rojtaria e Tokës Shenjtë për eksodin e të krishterëve? Është një plagë e hapur…
Po, eksodi është plagë e hapur, sidomos në Territoret palestineze, por edhe këtu në Jeruzalem. Rojtaria është aktive në disa fronte: së pari, në krijimin e vendeve të punës, duke dhënë mundësi pune në shkolla e në aktivitete të vogla tregtare për të krishterët. Pastaj, në ndërtimin e shtëpive: si Rojtari, jemi këtu prej shekujsh e kemi arritur të blejmë shumë terrene, mbi të cilat përpiqemi të ndërtojmë shtëpi me çmim të arësyeshëm për të krishterët, pasi ky është një problem shumë i rëndë për ta, sidomos në Jeruzalem. Përpiqemi pra, t’i lehtësojmë qëndrimin në këtë vend. E pastaj, i ndihmojmë përmes formimit, për sa është e mundur.
Po flitet shumë – u fol edhe gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II në vitin 2000 – për kthimin e Çenakullit. Ju, si Rojtari e Tokës Shenjte, do të gëzoheshit nëse ndodh?
Jo vetëm do të gëzoheshim, por do të ishim entuziastë, nëse do të na kthenin Çenakullin. Por jam skeptik për kthimin e afërt të tij. Nuk ka negociata të vërteta, specifike mbi argumentin, ekzistojnë negociata të përgjithshme mbi vendet e shenjta. Herët a vonë, do të diskutojmë seriozisht edhe për këtë, por duhet të them se në horizont, nuk shihet akoma asgjë e qartë dhe e saktë.







All the contents on this site are copyrighted ©.