2009-05-05 16:42:23

Vizita e Papës në Lindje të Mesme: Benedikti XVI, do të përpiqet të përforcojë dialogun me hebrejtë.


(05.05.2009 RV)Çështjes Uiliamson i është “vënë kapak, është mbyllur dhe sqaruar një herë e mirë”, ndërsa polemika mbi Piun XII “nuk është në agjendën” e shtegtimit të Papës në Tokën Shenjte. Imzot Antonio Franco, delegat apostolik në Tokë Shenjte i shpjegon në këtë mënyrë shpresat e Selisë Shenjte që udhëtimi i Papës në Lindje të Mesme, që do të zhvillohet nga 8 deri me 15 majin e ardhshëm jo vetëm të mos ndeshë në incidente të pakëndëshme por edhe të forcojë dialogun me hebrejtë dhe marrëdhëniet me Izraelin.
Pavarësisht nga keqkuptimet e fundit lidhur me lutjen në latinisht të Premten e Madhe, hipotezat për lumnimin e Piut XII, deklaratat e ipeshkvit lefevrian Uiliamson që mohojnë shoahun, Papa dhe Selia e Shenjtë janë të bindur se dialogu do të vazhdojë në rrugën e hapur nga Koncili II Vatikanas. Në letrën dërguar ipeshkvijve Papa shkruante se i ishte mirënjohës “miqve hebre” që më mirë se shumë katolikë të cilët patën menduar vetëm ta godisnin me armiqësi, të gatshëm për sulm, - miqtë hebre, pra, “ndihmuan që të davarisin keqkuptimet dhe të rivendosin një atmosferë miqësore dhe besimi”. “Kjo atmosferë ka ekzistuar jo vetëm gjatë papnisë së Gjon Palit II por edhe gjatë gjithë papnisë sime”- thoshte Benedikti XVI në këtë letër të hapur drejtuar ipeshkvijve. E në fakt kur u pat zgjedhur Papë, Benedikti XVI ishte shumë i njohur për hebrejtë. Asokohe ata e njihnin si një teolog i cili e pati mbështetur hapjen e Selisë Shenjtë ndaj hebrejve, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin etj. Po ashtu hebraizmi ndërkombëtar nuk e ka harruar punën e tij si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kur dokumentin e hartuar në vitin 2001, ia pati kushtuar “Popullit hebre dhe Shkrimeve të tij të Shenjta në Biblën e krishterë.” Një teks ky ku nga një anë analizoheshin mirë armiqsitë kundër hebrejve, ideologjitë që synonin zhdukjen e tyre, dhe nga ana tjetër mënyra se si paraqiten këta në Testamentin e Vjetër. Benedikti XVI ka bërë shumë për të përforcuar dialogun me hebrejtë. Shtegtimet e tija kanë qenë të pasura në takime me hebrejtë, me vizita nëpër sinagoga, si ajo e Nju Jorkut, fjala vjen, apo në vizita në vende-simbole siç është Aushvici dhe Judenplac në Vjenë.
Me rastin e 70-vjetorit të Natës së Kristaleve, e cila shënoi edhe fillimin e persekutimit të nazistëve kundër hebrejve, Papa Benedikti XVI pati thënë se ende sot ndjen dhimbje për sa pati ndodhur asokohe.
Në Jeruzalem Benedikti XVI, ashtu si paraardhësi i tij, do të lërë një lutje në Murin e Vajit, që është pjesa e vetme që ka tepruar nga Tempulli i ndërtuar nga Salomoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.