2009-05-05 16:23:54

Paraqitet kërkesa për mësimin e fesë në shkolla në Evropë


(05.5.2009 RV)Me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Këshillit të Evropës e në pragun e zgjedhjeve parlamentare evropiane, ipeshkvijtë katolikë të Evropës hapin dialogun mbi lirinë e edukimit dhe lirinë fetare në shkolla në Evropë. Përmes paraqitjes së rezultateve të një ankete evropiane, tryeza e rrumbullakët e Strasburgut ka për qëllim të vënë në dritë frytet që ka dhënë shoqëria civile nga mësimi i fesë.
Më 4 majin e ardhshëm Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (KKEE) në bashkëpunim me misionin e përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, do të realizojë një tryezë të rrumbullakët mbi Mësimin e fesë në Evropë pranë Këshillit të Evropës.
Në takim që organizohet me rastin e paraqitjes së botimit të anketës evropiane mbi mësimin e fesë në Evropë si një burim i çmueshëm për Kontinentin, do të marrin pjesë personalitete të shumta të botës politike e kishtare. “Situata e krizës që jetojmë sot nuk është vetëm e natyrës ekonomike, por është edhe një krizë vlerash e morale që ka rrënjët e veta në krizën antropologjike të shoqërisë sonë” – pohon Atë Duarte da Kunja, Sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës.
“Në këtë këndvështrim bëhet gjithnjë më e qartë rëndësia e një ripërtëritjeje të rrënjëve antropologjike që kalon para së gjithash përmes një projekti të qartë edukativ, i cili përfshinë edhe mësimin e fesë, që nuk duhet reduktuar thjesht si katekizëm por si lidhje sidomos e një etike personale e solidare, për çka ka kaq shumë nevojë shoqëria jonë”. Nisma e kësaj tryeze të rrumbullakët organizohet nën patronazhin e Presidentit të Parlamentit Evropian Hans-Gert Pottering, përgjegjësit të Komisionit evropian për edukim Jŕn Figel dhe mbështetjen e Sekretarit të përgjithshëm Terry Davis.







All the contents on this site are copyrighted ©.