2009-05-05 16:42:13

Papa Racinger do të lutet për Mbretin Abdallah të Jordanisë si edhe për fëmijët e Gazës që kanë vdekur apo janë jetimë.


(05.05.2009 RV)Gjatë shtegtimit të vet në Lindje të Mesme, Papa Racinger do të lutet gjithashtu edhe për Mbretin Abdallah të Jordanisë, mbret i cili posë tjerash gëzon edhe titullin e pasardhësit të profetit Muhamet. Po ashtu Ati i Shenjtë do të lutet edhe për fëmijët e Gazës “që kanë vdekur apo kanë mbetur jetimë dhe jetojnë në varfëri dhe frikë”. Kjo thuhet ndër të tjera, në librin me liturgjitë që do të kryesohen dhe do të kremtohen nga Papa Benedikti XVI në Lindje të Mesme.
Disa nga temat kryesore të udhëtimit të Papës janë paqja dhe pajtimi, dy fjalë, këto kuptimplote që do të shoqërojnë krejt udhëtimin e Atit të Shenjtë në Lindje të Mesme. Edhe vetë shprehja “Lum pajtuesit se do të quhen bijtë e Hyjit”, - një shprehje që shoqëron çdo faqe të librit të liturgjive të këtij udhëtimi,- është shumë domethënëse. Po ashtu shumë kuptimplote do të jenë edhe disa lutje, si përshembull ajo gjatë Meshës së datës 10 maj në stadiumin e kryqyetit jordanez, Aman. Pikërisht në këtë Meshë do të ketë lutje për paqën në Lindje të Mesme, në Palestinë, në Irak, dhe Liban.” “Le t’i kërkojmë Zotit, thuhet në tekst, që të përhapë paqën në të gjitha zemrat, në mënyrë që drejtësia të triumfojë në këto kombe të Lindje së Mesme dhe që të arrihet paqja.”
Ndërsa lutja e tretë gjatë kësaj Meshe do t’i kushtohet Mbretit Abdallah II Ibën Al Husein dhe qeverisë së mbretërisë hashemite të Jordanisë, që Zoti t’i udhëzojë të veprojnë gjithnjë në të mirë të Jordanisë dhe të nënshtetasve të saj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.