2009-05-04 17:28:45

Atë Federiko Lombardi për shtegtimin e Papës në Tokën Shenjte: një akt shprese e guximi.


(04.05.2009 RV)Bota e krishterë, e jo vetëm ajo, e pret me interes në rritje shtegtimin e Papës në Tokën Shenjte, nga data 8 deri më 15 maj. Sot paradite, Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, u shpjegoi gazetarëve programin e shtegtimit të Benediktit XVI në gjurmët e paraardhësve të tij, Palit VI e Gjon Palit II, që i vizituan viset shenjte të fesë përkatësisht në vitin 1964 e 2000.
Do të jetë një shtegtim i rëndësishëm, interesant e mjaft i ndërlikuar – shpjegoi Atë Lombardi - duke u ndaluar më parë tek etapat e ndryshme të udhëtimit, të pasura me ngjarje fetare e takime civile, të cilat dje, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa ia kujtoi mbarë botës, duke theksuar se shkon posaçërisht për t’i përforcuar në fe e për t’i inkurajuar të krishterët e Tokës Shenjte, të cilëve u duhet të përballojnë çdo ditë vështirësi të panumërta.
E këtu Atë Lombardi foli për kremtimet e ndryshme në të cilat do të marrë pjesë Ati i Shenjtë, që nga vendosja e gurëve të parë në ndërtesat e kultit, tek veprimtaritë e një tipi tjetër, që tregojnë se Kisha dëshiron të ecë përpara në rrugën e dialogut. Qëllim tjetër i dorës së parë – është – siç theksoi vetë Papa në lutjen e djeshme - të shkojë si shtegtar i paqes, në emër të një Zoti të vetëm, që është Atë i të gjithëve, duke dëshmuar impenjimin e Kishës katolike në favor të atyre, që përpiqen të praktikojnë dialogun e pajtimin, për të siguruar një paqe të qëndrueshme e afatgjatë, në frymën e drejtësisë e të respektit reciprok.
Atë Lombardi kujtoi edhe se Papa do të vizitojë Jordaninë, Izraelin e Territoret Palestineze, duke njohur nga afër situatën e sotme fetare e civile, që u bë gjithnjë më e ndërlikuar pas konfliktit të Gazës e që tani paraqet një sërë të panjohurash, me një qeveri të re në Izrael, me përçarjet politike ndërmjet palestinezëve e zgjedhjet e janarit të shtyra, tensionet me Iranin e politikën e presidentit të ri amerikan, Obama:
“Është një kompleks situatash, lëvizjesh e edhe tensionesh, në të cilat shtegtimi i Papës paraqitet si akt shprese e besimi e si kontribut për paqen e pajtimin. Më duket edhe një akt tejet i guximshëm e njëkohësisht, dëshmi e bukur e impenjimit për të mbartur mesazhe paqeje edhe në situata jo të lehta”.
Papa do të takohet me mbretin e Jordanisë, me presidentin dhe kryeministrin izraelit e me presidentin e palestinezëve – e këto janë ngjarjet më në shenj në krahun politik. Por takimet më të rëndësishme janë ato me besimtarët e gjashtë riteve katolike e të konfesioneve të tjera të krishtera si dhe me krerët fetarë të hebraizmit e të islamizmit. Benedikti XVI do të shkojë në Sheshin e Xhamive e do të vizitojë Murin Perëndimor, do të takohet me refugjatët palestinezë në Betlehem e do të vizitojë Mauzoleun e Yad Vashem, për të nderuar viktimat e olokaustit, por nuk do të ndalohet, siç ishte parashikuar, në Muzeun historik.
Ky shtegtim – siç ka theksuar vetë Benedikti XVI – nuk mund të mos ketë rëndësi të madhe ekumenike e ndërfetare







All the contents on this site are copyrighted ©.