2009-05-03 13:12:38

Sot u kremtua Dita e 46-të e lutjes për thirrje meshtarake e rregulltare


(03.05.2009 RV)RealAudioMP3 TitullohetBesimi në nismën e Hyjit dhe përgjigjja njerëzore” mesazhi i Atit të Shenjtë kushtuar kësaj dite. E fton mbarë popullin e Hyjit të reflektojë për thirrjen e Jezusit drejtuar dishepujve të vet: “Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta” (Mt 9, 38). Lutuni! Ftesa e Zotit – vëren Ati i Shenjtë - na kujton se lutja për thirrjet meshtarake duhet të jetë e pandërprerë dhe besimplote. E kjo sepse vetëm po të frymëzohet nga lutja, bashkësia e krishterë mund të ketë më shumë besim e më shumë shpresë në ndihmën hyjnore.
Thirrja për rrugën e meshtarisë dhe të jetës së përkushtuar– shpjegon Ati i Shenjtë në mesazh - është një dhuratë e veçantë hyjnore. Përfshihet në planin e dashurisë dhe të shëlbimit që ka Hyji për çdo njeri dhe për mbarë njerëzimin. Shën Pali Apostull, të cilin e kujtojmë në mënyrë të posaçme sivjet, në dymijë vjetorin e lindjes, në Letrën drejtuar Efezianëve, pohon: “Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri” (Ef 1, 3-4). Në thirrjen e gjithëmbarshme për të ecur në rrugën e shenjtërisë, del në pah nisma e veçantë e Hyjit, me anë të së cilës zgjedh disa për ta ndjekur më për së afërmi Birin e tij Jezu Krishtin. Mësuesi hyjnor i thirri personalisht Apostujt “që t’i kishte më pranë e t’i niste të predikonin, duke pasur pushtetin t’i dëbojnë djajtë” (Mk 3, 14-15); ata, nga ana e tyre, u bashkuan me dishepuj të tjerë, bashkëpunëtorë besnikë në shërbesën misionare. Kështu, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit dhe ndikimit të Shpirtit Shenjt, aradhe të panumërta priftërinjsh dhe rregulltarësh gjatë shekujve ia kushtuan gjithë jetën Krishtit në Kishën e Tij. Ta falënderojmë Zotin – na fton Ati i Shenjtë - që edhe sot vazhdon të thërrasë punëtorë të rinj në vreshtin e vet. E duke na kujtuar se në disa zona të tokës vijon të ketë mungesë shqetësuese meshtarësh e se vështirësitë dhe pengesat e shoqërojnë edhe sot Kishën në rrugët e pafundme të botës, Papa na siguron se në përpjekjen për ndërtimin përfundimtar të Mbretërisë Hyjnore na prin vetë Zoti, që zgjedh e fton ta ndjekin njerëz të kulturave, racave e moshave të ndryshme, sipas planeve të pashqyrtueshme të dashurisë së tij të mëshirshme. Le të kumbojnë sot në shpirtin e të gjithë besimtarëve, fjalët e Jezusit, që na i kujton Papa në mesazh: “Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt e fryti juaj të qëndrojë” (Gjn 15, 16).







All the contents on this site are copyrighted ©.