2009-05-03 13:12:50

Përfundoi sot në Irlandë ‘Viti kushtuar thirrjeve meshtarake e rregulltare”


(03.04.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, me kremtimin e Ditës së 46-të të lutjes për thirrjet meshtarake, në Irlandë përfundoi edhe Viti Kushtuar lutjes për të pasur sa më shumë burra e gra, që ia kushtojnë gjithë jetën Zotit e të afërmit, duke shtuar aradhet e punëtorëve të zgjedhur për të punuar në vreshin e Zotit e krahët e punës në të korrat e tij. Kjo Ditë u organizua nga Episkopati vendas për të thelluar vetëdijen se të gjithë besimtarët, përmes gurrës së Pagëzimit, janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, të dashurisë së krishterë e të shërbimit. Gjatë këtij viti, që nisi më 13 prill 2008, u zhvilluan një sërë veprimtarish baritore, kryesisht në gjirin e studentëve, të të rinjve punëtorë e në viset e shtegtimeve. Besimtarët patën, kështu, rast ta kuptojnë më thellësisht ç’do të thotë ta ndjekësh Krishtin në rrugët e ndryshme, ku të thërret: në rrugën e priftërisë, të jetës rregulltare, të asaj vetmitare a familjare. Të gjitha janë rrugët e Zotit e duhen jetuar sipas vullnetit të Tij, me gëzimin që zgjon në shpirtin e besimtarët fakti se i përket Kishës.
Sot, në përfundim të këtij viti domethënës, u organizua një Ditë reflektimi e diskutimesh pranë Seminarit të Shën Patrikut në Maynooth, ku morën pjesë një numër i madh të rinjsh, që mendojnë të ecin në rrugën e meshtarisë. Gjatë takimit, të pranishmit ndoqën dëshminë e një seminaristi, fjalimin e drejtuesit të formimit, projektimin e një filmi mbi jetën e seminaristëve e një çast shkëmbimi të lirë mendimesh ndërmjet të rinjve të ftuar, seminaristëve e drejtuesve të seminarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.