2009-05-02 16:19:30

Benedikti XVI Shoqatës ‘Papal Foundation’: lutuni për shtegtimin tim në Tokën Shenjte.


(02.05.2009 RV)RealAudioMP3 Një lutje e re për paqe në Tokën Shenjte e një thirrje e re për solidaritet ndaj atyre që janë më pak të përgatitur për t’i përballuar pasojat e krizës ekonomike botërore. Të dyja të lartuara në audiencën e sotme tradicionale në Vatikan me anëtarët e ‘Papal Foundation’, shoqatë amerikane solidariteti, e cila prej më se 20 vjetësh mbështet veprimtarinë bamirëse të Atit të Shenjtë .
“Ju falënderoj e uroj që paqja e Hyjit tonë dhe e Zotit tonë Jezu Krishtit të jetë gjithnjë me ju” . Përdori fjalët e Shën Palit drejtuar romakëve Benedikti XVI, për t’u uruar mirëseardhjen në Sallën Klementine rreth 150 përfaqësuesve të ‘Papal Foundation’.
E mandej shikimi i Papës kaloi menjëherë në viset e Planetit, ku do të shkojë pas pak kohe si bari e shtegtar, vise që ndonëse ruajnë që prej njëzet shekujsh kujtimin e shpalljes së parë të Ungjillit, nuk kanë paqe prej 60 vjetësh. Brenda pak ditësh - u tha Papa miqëve amerikanë – do të kem kënaqësinë të vizitoj Tokën Shenjte. Po shkoj si shtegtar i paqes në tokën e lindjes, të vdekjes e të ringjalljes së Krishtit, vend i shenjtë për botën e për tri fetë monoteiste, e megjithatë, i plagosur prej kohe nga dhuna e padrejtësia:
“This a led to a general atmosphere of mistrust…
Kjo ka krijuar një atmoseferë mosbesimi, paqartësie e frike, duke e ngritur të afërmin kundër të afërmit, vëllain kundër vëllait. Ndërsa përgatitem për këtë shtegtim të rëndësishëm, ju kërkoj në mënyrë të posaçme të bashkoheni me mua në lutje për të gjithë popujt e Tokës Shenjte e të zonës. Uroj që të marrin dhuratat e pajtimit, të shpresës e të paqes”.
E nga Toka Shenjte dhe plagët e saj të hapura, Benedikti XVI kaloi tek një çështje për të cilën kohët e fundit ka shprehur disa herë shqetësimin e tij. Botës – vërejti – që përballon tragjeditë e luftërave, të përçarjeve, të varfërisë, të dëshpërimit, i shtohet tani edhe një shqetësim tjetër i rëndë: kriza ekonomike.
“At moments such as these it is tempting…
Në çaste si këto tundohemi t’i harrojmë ata që nuk kanë zë e të mendojmë vetëm për telashet tona (…). Por, në vend që të mendojmë vetëm për veten, duhet të bëhemi fanarë shprese, force e mbështetjeje për të tjerët, posaçërisht për ata që nuk kanë asnjeri që t’i shikojë a t’i ndihmojë”.
Papa e përfundoi fjalimin duke falënderuar Fondacionin që e mbështet aq shumë në veprimtarinë e tij bamirëse, në mbështetje të dioqezave që kalojnë vështirësi ekonomike, të seminaristëve e të strukturave të asistencës për fëmijë e pleq në mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.