2009-04-30 15:52:35

Papa ipeshkvijve katolikë të Argjentinës, Kisha të sjell mesazhin e paqes e të pajtimit ungjillor e të mos frymëzohet prej ideologjive.


(30.4.2009 RV)Në Amerikën Latine Kisha duhet të sjell “mesazhin e paqes e të pajtimit” e jo “të frymëzohet prej skemave që pretendojnë përmirësimin e botës duke ndjekur një ideologji”. Shërbimi ipeshkvnor, roli i meshtarëve, kontributi i laikëve në jetën e Kishës e të shoqërisë: këto janë tri temat kryesore që Benedikti XVI i trajtoi në fjalimin e tij drejtuar sot paradite grupit të tretë të ipeshkvijve të Argjentinës, në vizitën e tyre pesë vjeçare ‘Ad Limina Apostolorum’, të cilët i priti në Sallën e Konçistorit në Vatikan. Ndërsa në fjalimin përshëndetës drejtuar Papës, zëvendës presidenti i episkopatit argjentinas, imzot Luis Villalba, u ndal mbi sfidat kryesore të cilat Kisha e Argjentinës është e thirrur t’i përballojë.
Ipeshkvi të sillet me besimtarë gjithmonë porsi ai që shërben, duke u frymëzuar vazhdimisht nga shembulli i Krishtit Zot: ky është këshilli që Benedikti XVI u drejtoi ipeshkvijve të Argjentinës në përfundim të vizitës së tyre pesë vjeçare në Vatikan. Më të vërtetë, tha Papa, ai i ipeshkvit “është titull nderi “ kur jetohet me shpirtin ungjillor të shërbimit e pjesëmarrjen e përvujtë në misionin e Krishtit
“Kundrimi i përhershëm i figurës së Bariut të Mirë, do të shërbejë si shembull e inkurajim në përpjekjet tuaja për kumtimi n e mbrojtjen e Ungjillit”. Pastaj do t’u jap shtytje në misionin e përkujdesjes tuaj ndaj besimtarëve “me ëmbëlsi e përdëllim, duke i mbrojtur të dobëtit e duke shpenzuar jetën në një përkushtim të vazhdueshëm e bujar ndaj popullit të Zotit”.
Kështu pra, Papa i ftoi ipeshkvijtë argjentinas të promovojnë në bashkësitë e tyre kishtare dioqezane ushtrimin e dashurisë dhe të bamirësisë, posaçërisht ndaj më nevojtarëve e të jenë shenjë e dukshme e dashurisë së Krishtin në mesin e njerëzve.
“Ky kontakt i pareshtur me Krishtin në lutje – tha Papa – e shndërron zemrën e besimtarëve, duke e hapur ndaj nevojave” të njerëzve. E megjithatë, shtoi Ati Shenjtë duke cituar enciklikën Zoti është Dashuri, nuk duhet të “frymëzohemi prej ideologjive të përmirësimit të botës, por të lejojmë të udhëhiqemi nga feja e cila në dashuri bëhet vepruese”.
Pastaj duke iu drejtuar meshtarëve, Papa i nxiti të identifikohet gjithnjë më tepër me Krishtin Zot e të jenë shembuj virtytesh për grigjën e tyre. Në vijim të fjalimit, Ati i Shenjtë Racinger përmendi besimtarët laikë e thirrjen e tyre specifike në jetën kishtare. Besimtarët, vuri në dukje Papa, “ të nxitur nga dashuria e Krishtit” duhen të “marrin pjesë në mënyrë aktive në misionin e Kishës ashtu si në jetën shoqërore, politike, ekonomike e kulturore të Vendit të vet duke qenë shembullor në ushtrimin e detyrave civile e në ushtrimin e virtyteve njerëzore e të krishtera që kontribuojnë për të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve të një Vendi.







All the contents on this site are copyrighted ©.