Më 30 prill kalendari Kishtar përkujton Shën Piun e V, Papë
(30.4.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin, më 30 prill Kisha përkujton Shën Piun
e V ( 27.1.1504 - 1.5.1572), papë i madh që la gjurmë të pashlyeshme në Kishën e kohës
së vet, duke i dhënë një shtytje ungjillore providenciale përpara. Në kohën
e vet, Antonio Michele Ghisleri njihej si kardinal aleksandrin, aq e fuqishme ishte
lidhja e tij me tokën e dashur të Aleksandrisë. U ul në fronin e papnisë në moshën
62 vjeçare, në vitin 1556. Qe një nga papët e mëdhenj të Kishës katolike, që fuqizoi
energjitë fetare në një periudhë që pati kriza të thella shoqërore, që nganjëherë
përfunduan me konflikte të dhimbshme të armatosura. E Kisha në drejtimin e Piut V
u imponua për të kërkuar rrugë të reja, për të gjallëruar fenë e për t’ia propozuar
botës vlerat ungjillore në përkim me ndryshimet kulturore e shoqërore të kohës. Këto
rrugë asokohe u propozuan nga Koncili Kishtar i Trentit. I ngarkuar me veprimtari
të jashtëzakonshme, shëndetlig, i lodhur nga pesha e viteve, papa Piu V megjithatë
nuk e la kurrë pas dore lutjen e meditimin e Fjalës së Zotit. Plot përshpirtërie për
Zojën e Bekuar, Piu V e thoshte për ditë Rruzaren Shenjte. Pasi u zgjodh Papë, vuri
të gjitha forcat për të zbatuar me besnikëri vendimet e Koncilit Kishtar të Trentit
në fushën liturgjike, katekistike e teologjike. Këto virtyte e bëjnë Piun V shembull
për të gjithë ata që duan ta jetojnë vërtetësish thirrjen e tyre të krishterë. Botoi
tekstet e reja të Mesharit më 1570, të Breviarit (1568) e të katekizmit romak. Shën
Piu V përkujtohet kryesisht si papa i fitores së Lepantit, jo pse ai qe njeri i luftës,
por sepse me autoritetin dhe prestigjin e tij personal arriti të imponojë një armëpushim
ndërmjet shteteve evropiane të përçara dhe t’i nxisë ato që përmes “aleancës së shenjtë”
t’i ndalnin hovin avancimit të trupave turke drejt Evropës. Më 17 tetor të vitit 1571,
kur flota e krishterë mposhti përfundimisht atë turke, Papa Piu V urdhëroi që të binin
njëkohësisht të gjitha këmbanat e Romës.