2009-04-29 18:09:58

Papa në audiencë: feja na ndihmoftë të shikojmë dritën e Hyjit në Kishë e në gjirin e njerëzimit larg ndyrësisë së mëkatit.


(29.04.2009 RV)RealAudioMP3 Edhe në se mëkati e ndyrësia ia nxijnë fytyrën, feja duhet të na ndihmojë ta shohim praninë e Hyjit në botë e ndërmjet njerëzve. Me këtë pohim Benedikti XVI e përfundoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar Patrikut të Kostandinopojës, Gjermanit. Papa ua paraqiti 40 mijë besimtarëve të mbledhur rreth tij, si protagonist të luftës kundër ikonathyersëve dhe autor të shkrimeve të rëndësishme kushtuar Zojës së Bekuar.

Ç’mund të mësojmë nga një njeri i Zotit, i cili 1300 vjet më parë zgjodhi rrugën e vetmërgimit, për të mos iu bindur perandorit, që donte ta ndalonte kultin e ikonave, nga frika se një kult i tillë mund të çonte në idhujtari? Nga Gjermani, Patrik i Kostandinopojës, i cili besonte në vlerën shpirtërore dhe edukative, që buron nga nderimi i figurave të shenjta, arrijnë deri tek ne – shpjegoi Benedikti XVI – tre mësime themelore.
Së pari – theksoi Papa:
“Zoti, në një farë mënyre, bëhet i dukshëm në Botë e në Kishë, e ne duhet të mësohemi ta perceptojmë këtë dukje. Hyji e krijoi njeriun sipas shembëlltyrës së tij, por kjo shembëlltyrë u mbulua nga ndyrësitë e panumërta të mëkatit e, si pasojë, Hyji nuk nëpërdukej më (…) Figurat shenjte na mësojnë ta shohim Zotin përmes fytyrës së Krishtit. Pas mishërimit të Birit të Zotit, u bë e mundur të shikohej Hyji në figurat e Krishtit, në fytyrat e shenjtorëve e edhe në fytyrat e gjithë njerëzve, në të cilat pasqyrohet shenjtëria e Hyjit”.
Mësimi i dytë – shpjegoi Papa – ka të bëjë me liturgjinë. Në se ajo është e bukur e dinjitoze, na bën ta shikojmë shkëlqimin e Hyjit.
E mësimi i tretë – vijoi Benedikti XVI - na flet për dashurinë ndaj Kishës:
“Pikërisht përsa i takon Kishës, ne njerëzit kemi prirjen të shikojmë sidomos mëkatet, anën negative; por me ndihmën e fesë, që na bën të aftë për të parë vërtetësisht, mundemi sot e përgjithmonë, të zbulojmë në të bukurinë hyjnore (…). T’i lutemi Hyjit të na mësojë të shohim në Kishë praninë e tij, bukurinë e tij, të shohim praninë e tij në botë e të na ndihmojë që edhe ne të jemi të tejdukshëm në dritën e tij”.
Këto tre mendime ishin në themel të reflektimit të Papës me besimtarët në katekizmin e sotëm, gjatë të cilit Ati i Shenjtë u rikthye simbolikisht në një periudhë të largët historike, shtatë shekuj pas Krishtit, kur Kostandinopoja u bë qendra e një krize fetare gjatë së cilës Perandori Leoni III, i shqetësuar nga kulti i tepruar i ikonave, iu kundërvu Patrikut Gjermani, që kishte bindje krejt të kundërta. Duke dashur t’i mbrojë opinionet e veta, kur kryeqyteti i perandorisë bizantine u rrethua nga saraçenët, Gjermani organizoi një procesion solemn, të cilit i printe ikona e Nënës së Zotit, Theotokos dhe relikja e Kryqit të Shenjtë, për t’i kërkuar Hyjit mbrojtjen e qytetit. E Kostandinopoja u lirua nga rrethimi, gjë që ndikoi fuqimisht mbi ndjenjat fetare të popullit të krishterë. Pas kësaj ngjarjeje - shpjegoi Papa:
Patriku Gjermani (…) u bind se ndërhyrja e Zotit duhej parë si miratim i dukshëm i nderimit që kishte populli për ikonat e shenjta (…). Por më kot bëri thirrje për mbrojtjen e traditës së Kishës dhe të disa ikonave me vlerë të madhe, që njiheshin një zëri si të mrekullueshme”.
Ndonëse e cilësoi patrikun Gjermani si një mendimtar jo shumë të shquar në fushën teologjike, Benedikti XVI i njohu disa merita të tjera, posaçërisht disa mendime të tij lidhur me mariologjinë. Një nga shkrimet e Gjermanit – shtoi Papa – u citua nga Piu XII në Kushtetutën dogmatike Munificentissimus Deus, me të cilën Papa Paçeli, në vitin 1950, shpalli dogmën e Të ngjiturit të Zojës në qiell. Posaçërisht – vijoi të nënvizonte Benedikti XVI për Patrikun Gjermani:
“Homelitë e tij të shkëlqyera kushtuar Paraqitjes së Zojës së Bekuar në Tempull, janë edhe sot e kësaj dite dëshmi të gjalla të traditës së pashkruar të Kishave të krishtera. Brezni të tëra murgeshash, murgjërish e anëtarësh të Instituteve rregulltare, vijojnë të gjejnë në këto tekste thesare të çmuara përshpirtërie”.
Si përfundoi përmbledhjen e katekizmit në disa gjuhë të botës, Papa përshëndeti posaçërisht një grup, ardhur nga Sardenja për t’i kthyer Atit të Shenjtë vizitën në Ishull gjatë shtatorit të kaluar. Më pas, duke kujtuar se sot përkujtohet Shën Katerina nga Siena, dijetare (doktoreshë) e Kishës dhe bashkëpajtore e Italisë, Benedikti XVI i ftoi në mënyrë të posaçme të rinjtë të dashurohen me Krishtin, si Shenjtorja sieneze e, si ajo, ta ndjekin me zell e besnikëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.