Më 29 prill kalendari kishtar kujton Shën Katerinën nga Siena
(29.04.2009 RV)Shën Katerina nga
Siena është një shenjte e jashtëzakonshme. Domenikani Luigi De Granada, mistik i madh
i 600-tës, thotë: "Mund të pohoj se pas misterit të parrëfyeshëm të Mishërimit, nuk
kam lexuar asgjë që të më ketë dhënë provën më të sigurtë të mirësisë hyjnore, sesa
ngjarjet e jetës të kësaj Virgjëre dhe privilegjet e veçanta që i dha asaj Zoti.
E Korneli Lapide, një tjetër studiues i madh jezuit, e quan Shën Katerinën "Portentum
omnium seculorum", "mrekulli e gjithë shekujve"! Sapo nis ta lexosh jetën e saj, vëren
menjëherë se në të ka diçka jo të zakonshme. Që në moshën 6 vjeçe pati vegimin e parë:
pa Jezusin që e ftoi për ta ndjekur. Pa i mbushur mirë shtatë vjetët, para Zojës së
Bekuar festoi fejesën e saj shpirtërore me Krishtin e iu kushtua Atij përgjithmonë
me kushtin e virgjërisë. Një natë pa në ëndërr Shën Dedën, të cilin e siguroi se do
të vishte petkun bardh e zí të motrave domenikane. Atëherë u kërkoi prindërve lejën
për t'u bërë domenikane. Fillimisht ato nuk deshën, por pas këmbënguljes së vajzës,
u detyruan të pranojnë. Atëherë Katerina ia kushtoi gjithë vetveten lutjes, por pas
pak kohe Jezusi e ftoi për apostullim, për të mbrojtur paqen. E që në atë çast e shohim
Katerinën duke rendur nëpër Itali e jashtë saj për të mbrojtur paqen. Madje shkoi
deri në Avinjon, për të thirrur Papën. Rreth saj u formua një grup dishepujsh që nisën
ta quanin "Nënë", e ajo u qëndroi pranë, si një nënë e vërtetë. Pastaj nisi të hartonte
letra të zjarrta. "Natyra ime është zjarr" - shkruante. Duke lexuar jetën e saj të
shkurtër - jetoi vetëm 33 vjeç - si Krishti - të krijohet përshtypja se ishte grua
e jashtzakonshme. Pas Virgjërës Mari, Shën Katerina është gruaja më e madhe që ka
jetuar mbi këtë tokë, të paktën për aq sa dihet deri më sot. Në Itali ka pasur,
pa dyshim, një ndikim të jashtzakonshëm. Duhet kujtuar se asokohe Evropa ishte e bashkuar.
Me që ishte bashkëpajtore e Italisë e me që kishte shkuar edhe në Avinjon, duke dhënë
ndihmesën e vet që të kthehej papa në Romë, u bë, në mënyrë të natyrshme, edhe bashkëpajtore
e Evropës, sepsè ndikimi i saj u shtri në mbarë Evropën. Rikthimi i papës në Romë
qe një fakt tepër i rëndësishëm, themelor. E pastaj edhe për mësimin e saj. Shën Tereza
e Avilës, që ishte spanjolle, thoshte se pas Zotit, ishte Shën Katerina ajo që e drejtoi
progresin e shpirtit të saj në rrugën drejt qiellit. Katerina nga Siena ishte
pa shkollë, e megjithatë u shpall dijetare e Kishës, sepse të gjitha shkrimet e diktuara
nga ajo, janë të frymëzuara. Doktrina e saj është e sigurtë; ajo ka përshpirtëri doktrinore!
Këtë e tregojnë edhe letrat që u drejtoi papëve e princave të kohës së vet. Letra
të zjarrta: "Unë, Katerina, shërbëtore e skllave e Zotit tonë Jezu Krishtit, po ju
shkruaj juve në gjakun e Tij të paçmueshëm". Kështu i fillonte letrat. E përballë
këtyre letrave, që s'qenë letra, por flakë, papët e kardinajtë nuk mund të mos dorëzoheshin.
E çka të prekë më shumë, janë fjalët e fundit, shqiptuar prej saj. Në sa po vdiste,
e rrethuar nga dishepujt e vet, shqiptoi këto fjalë të mrekullueshme: "Të jeni të
sigurtë, o bij fort të dashur, se unë e shkriva jetën time në Kishë e për Kishën,
gjë që për mua ishte një hir jashtzakonisht i posaçëm". Ajo pati nga Zoti edhe shumë
hire të tjera: Fliste me Jezusin, i thoshte Lutjet e ditës me Të, i dukej vazhdimisht
Zoti, bënte mrekulli. E megjithatë, mrekullia më e madhe për të qe "shkrirja e jetës
në Kishë e për Kishën!".