2009-04-29 19:09:43

Më 29 prill 1967 u arrestua Atë Pjetër Meshkalla, Jezuit, martir


(29.4.2009 RV)Më 29 prill 1967 u arrestua Atë Pjetër Meshkalla, meshtar shembullor, dëshmitar i patrembur i Krishtit, pishtar i demokracisë, i cili u dënua me 10 vjet burg për "agjitacion e propagandë" nga regjimi komunist. Atë Meshkalla lindi në Shkodër më 26 shtator 1901. Studimet e larta i kreu në Austri, Slloveni dhe ne fakultetin e filozofisë në Napoli (Itali). Më 1931 u shugurua meshtar në Shkodër. Në vitin 1945 i kërkohet bashkëpunim nga regjimi komunist i Tiranës e Atë Meshkalla jo vetëm që nuk e pranon, por në funeralin e Imzot Bumçit, demaskon haptas diktaturën komuniste. Për ketë më 1946 arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg, në kampet e punës, dhe në Burrel. Në 1960, lirohet e kthehet ne Shkodër, pa të drejtë për të shërbyer si meshtar. At Pjetër Meshkalla është kleriku i parë që u dekorua më 1992 si "Pishtar i Demokracisë".
****
Letra e AT PJETËR MESHKALLA, drejtuar Mehmet Shehut në '67 për prishjen e objekteve të kultit

Përfaqësuesit e klerit katolik, një nga shtresat më të persekutuara në Shqipëri gjatë regjimit diktatorial, shfaqën që në fillimet e tyre kundërshtitë ndaj komunizmit si një ideologji që synonte krijimin e një brezi dhe shoqërie pa asnjë normë njerëzore. Në vitin 1967, kur regjimi diktatorial vendosi ndalimin me ligj të besimit fetar, me mijëra klerikë të të gjitha besimeve fetare në vend u pushkatuan, u burgosën apo u internuan, ndërsa objektet e kultit fetar u shndërruan në kinema dhe në godina për shërbime të tjera. Në një letër që një klerik katolik i dërgon kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, vihet në dukje kontestimi i qartë kundër regjimit, i cili synonte të kontrollonte në çdo qelizë jetën e qytetarëve, duke u imponuar madje edhe besimin. Pjetër Meshkalla në letrën drejtuar kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, shkruan se popullit po i bëhet presion në lloj lloj formash, duke shfrytëzuar edhe varfërinë për t`i detyruar të pranojnë mohimin e besimit. Ai nënvizon se pjesa e frikësuar me kërcënime dhe presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën më të madhe, sepse e lidhur nga kafshata e bukës, detyrohet të mohojë me gojë atë që beson me zemër. Sipas tij, fushata që po bëhej në atë kohë synonte formimin e një gjenerate pa kurajo civile, oportuniste, servile, që do të ndikojë në prishjen e karakterit të shqiptarëve në dëm të vendit. Meshkalla gjithashtu vë në dukje zotimin që autoritetet shqiptare kishin dhënë para ndërkombëtarëve për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Me anë të kësaj letre, kleriku përshkruan edhe arbitraritetin absurd me të cilin urdhëroheshin të dorëzonin të gjitha pronat, pasi ato i përkisnin partisë. Duke iu referuar përgjimeve që u bëheshin qytetarëve nga Sigurimi i Shtetit ai thekson se, njerëzit kanë frikë të takojnë apo të përshëndesin njëri tjetrin për shkak se dikush prej tyre mund të dalë "i prekur".
 
Më poshtë vijon letra e plotë që At Pjetër Meshkalla i drejton Mehmet Shehut:
Fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni. Pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t'Atdheut. Njerëzit kanë frikë m'u takue, m'u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të "prekun". E kush po di se cilët janë! - Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX?
Shkëlqesë,
Pardje, më 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër të tjera, se do të denonconim gjithçka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t'i kthehen; dhe se nuk do t'ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këtë letër Shkëlqesës s'Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshe, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t'i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç' vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t'Atdheut. Njerëzit kanë frikë m'u takue, m'u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të "prekun". E kush po di se cilët janë! -Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për të.
Unë tham se, me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, më 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: "Këtë kishë do ta bajmë kinema"; Ju m'u përgjigjët: "Kjo asht propagandë armiqësore!".
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s'ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira.
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, në Kryeministri - Tiranë, 5 prill 1967.
Me nderime
Pjetër Meshkalla, Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu







All the contents on this site are copyrighted ©.