(29.04.2009 RV)Ikonosklasti (nga greqishtja εἰκόν - eikón, "figurë"
e κλάω - kláo, "thyej") quhet Lëvizja fetare për thyerjen e ikonave, që mori
hov aty nga gjysma e parë e shekullit VIII. Në bazën e kësaj lëvizjeje ishte bindja
se adhurimi i tepruar i ikonave mund të çonte në idhujtari. Kjo bindje shkaktoi jo
vetem një kundërvënie të fortë doktrinore në gjirin e Kishës, por edhe shkatërrimin
material të një numri të madh ikonash, ndërmjet të cilave, disa nga kryeveprat e artit
kishtar, që për më tepër njiheshin edhe si të mrekullueshme.