2009-04-28 16:16:39

Të rinjtë palestinezë e presin me gëzim vizitën e Papës në Tokën Shenjte.


(28.04.2009 RV)Afrohet dita kur Papa do të shtegtojë në Tokën Shenjte e, pikërisht pak kohë më parë, një grup të rinjsh palestinezë nga Beit-Sahour ishte për vizitë në Andria, qendër pulieze, e vëllazëruar me qytezën e largët, pranë Betlehemit. Pastaj të rinjtë vijuan shtegtimin drejt Romës dhe u takuan me Benediktin XVI gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar. Shoqëroheshin nga atë Faisal Hijazen. Meshtari shoqërues, në mikrofonin tonë, na tregon si po e jetojnë të rinjtë palestinezë këtë çast të vështirë të krizës me Izraelin:

Përgjigje: - Jetojnë mes vështirësish: të rinjve u mungon liria, përballë murit që ua mbyll të gjitha rrugët. Është situatë e vështirë kjo e palestinezëve, që nuk mund të shkojnë në Izrael e as në Jeruzalem. Nuk mund të lëvizin lirisht as nga një qytet në tjetrin. Për të arritur nga Betlehemi në Ramallah duhet të kapërcejnë pesë pika kontrolli. Në famulli mundohemi të organizojmë shumë veprimtari për ta.

Pyetje: - Si e presin këta të rinj, e edhe pjesa tjeter e popullsisë, vizitën e Papës Benedikti XVI?

Përgjigje: - Të rinjtë tanë e presin me gëzim të madh; presin, përmes pranisë së Atit të Shenjtë, të thellojnë fenë e tyre. Jemi pakicë në vend: në Jordani, vetëm 2 % e popullsisë; në Palestinë, vetëm 1% e në Izrael 2%. Prandaj, si grigjë e vogël, kemi nevojë për ngushëllim e Papa ynë do të na ndihmojë. Duam që Papa të flasë për paqen, në rrethanat kur populli palestinez kërkon të drejtën për të pasur shtetin e vet, ashtu si është shteti i Izraelit. Duam që këta dy popuj të jetojnë në paqe.

Pyetje: - Nuk duhet harruar, veç, se një pjesë e popullsisë palestineze i kërkon këto të drejta duke hedhur raketa e duke ecur në rrugën e terrorizmit…

Përgjigje: - Ne themi “Forca nuk mund ta sigurojë kurrë paqen”. E as padrejtësitë nuk sjellin paqe. Prandaj ne i kërkojmë Bashkësisë Ndërkombëtare, OKB-së, Bashkimit Evropian, t’i nxisin izraelitët e palestinezët të gjejnë rrugën e vërtetë për zgjidhjen e konfliktit, rrugën që u pëlqen të gjithëve, në mënyrë që të gjithë të jetojnë në Shtetin e vet plotësisht të lirë.

Pyetje: - Benedikti XVI, më se një herë i ka drejtuar bashkësisë ndërkombëtare thirrje për paqe në Lindjen e Mesme e në Tokën Shenjte. Si i pret bashkësia juaj katolike këto kërkesa të Atit të Shenjtë?

Përgjigje: - I vlerësojmë shumë, sepse Vatikani ka qenë gjithnjë në favor të paqes në Palestinë. Na duket me vlerë që, si Papa Benedikti XVI, ashtu edhe Papa Gjon Pali II, kanë folur shumë për ta bërë realitet këtë paqe. Papa Racinger e ka thënë shumë herë këtë.

Pyetje: - Në këtë rast, jeni ju, barinjtë, që duhet të veproni personalisht, që duhet ta mbroni e ta përhapni Ungjillin, edhe përballë vështirësive, të cilat nuk mungojnë, në një vend ku shumica i përket feve të tjera…

Përgjigje: - Feja e krishterë është fe që të shtyn drejt paqes, që të mëson ta duash armikun, por pa mohuar të drejtat tuaja. Pra ne nuk kemi kurrfarë problemi me izraelitët, kurrfarë problemi as me palestinezët myslimanë. U prijmë të gjithëve drejt tolerancës, drejt dialogut e, siç ka thënë Gjon Pali II, kemi nevojë për ura, jo për mure; duam të krijojmë ura vëllazërie, ura drejtësie, ura që bazohen mbi të drejtat e njeriut, si të izraelitit, ashtu edhe të palestinezit. Duam njohjen reciproke ndërmjet popullit palestinez e atij izraelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.