2009-04-28 15:40:23

Kryeministri Berisha paraqet në Pragë kërkesën për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE


(28.04.2009 RV)RealAudioMP3 U pranua sot në Pragë kërkesa zyrtare e Shqipërisë për pranim in e plote në Bashkimin Evropian. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe kolegu i tij çek Mirek Topolanek, vendi i të cilit po drejton BE këtë semestër.
Kryeministri Berisha deklaron në Pragë se "aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE shënon rikthimin e popullit shqiptar në familjen e kombeve europiane.
27 vendet e BE në vitin 2006 patën nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asocimit me Shqipërinë, që është hapi i parë për anëtarësim në familjen evropiane.
Por nga ana tjetër në vend nuk reshtin polemikat. Pas protestës për ndërtimin e centralit bërthamor në Shkodër, të tjera reagime po ngjall edhe lajmi i nënshkrimit, dje, të marrëveshjes antikushtetuese Shqipëri-Greqi për përcaktimin e disa kufijve detar jugor. Në bazë të saj Shqipëria i dhuroi Greqisë disa metra hapësirë ujore. Lajmi i mbajtur sekret për publikun, u bë i njohur nga disa gazetarë shqiptarë.
Gjatë ceremonisë së organizuar në Pragë (Çeki), ku Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, Kryeministri Berisha u shpreh se "shqiptarët e konsiderojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si ëndrrën dhe projektin më të bukur për të ardhmen e tyre".
Duke e cilësuar ditën e sotme si një moment historik për Shqipërinë, Kryeministri Berisha u shpreh se "ky akt shënon rikthimin e popullit shqiptar në familjen e kombeve europiane, nga e cila u nda fizikisht, por jo shpirtërisht, për një periudhë kaq të gjatë kohe".
"Të gjithë bashkëqytetarët e mi shqiptarë janë sot me mua në Pragë, ndërsa ne festojmë me gëzim dhe emocion të madh këtë moment solemn, të dorëzimit zyrtar të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE", tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se për shqiptarët historia ka qënë e vështirë dhe e ashpër, por pushtimet e gjata dhe brutalitetet nuk mund të shuanin kulturën e vendit tim, ashtu sikurse dhe interesimin e shqiptarëve për t'u bërë europianë.
Sipas tij, "96 për qind e shqiptarëve duan integrimin e plotë të Shqipërisë në Europë, ndaj dhe sot për ne është dita e mrekullisë dhe lirisë që përfaqëson BE".
"Shqipëria vjen sot këtu pas momenteve shumë të vështira. Ndihem i lumtur të paraqes kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, si Kryeministër i një vendi, i cili vetëm 20 vjet më parë rrëzoi perden e hekurt", vijoi më tej Kryeministri Berisha.
Shqipëria dhe Çekia, sipas Kreut të Qeverisë shqiptare, "kanë patur një të kaluar fondamentale dhe rënia e perdes së hekurt në Shqipëri zbuloi një vend, i cili ishte shumë larg nga vendet e botës së lirë".
"Në vitin 1991, Shqipëria ishte një nga 3 apo 4 vendet më të varfëra të të gjithë planetit, ndërsa sot, falë një angazhimi të mahnitshëm dhe solidariteti të jashtëzakonshëm të ndërkombëtarëve, vendi ka bërë një hap të madh përpara", u shpreh Kryeministri Berisha.
Sipas Kreut të Qeverisë, "Shqipëria ka treguar sot se përfaqëson një demokraci funksionale, ku kriteret e Kopenhagenit konsolidohen vazhdimisht".
"Shqipëria ka një ekonomi tregu të konsoliduar, që siguron stabilitet ekonomik. Ne jemi tashmë një vend tërheqës për investitorët e huaj, dhe këtë e dëshmon fakti se nga periudha dhjetor 2008-janar 2009, në Shqipëri u firmosën kontrata me një vlerë prej 3, 5 miliardë euro", u shpreh Kryeministri Berisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.