2009-04-28 15:41:01

BE, jo panikut të përhapjes së epidemisë së etheve të derrit por emergjenca avancon


(28.4.2009 RV)Numri i të vdekurve nga epidemia e etheve të derrit në Meksikë arriti në 152, por po bie ritmi me të cilin kjo epidemi po përhapet. Njoftimi u dha nga ministri i shëndetësisë meksikane Hose Anxhel Kordoba, i cili theksoi se për herë të parë që nga fillimi i saj ka shenja se epidemia po e ndalon vrullin e përhapjes. Ministri gjithashtu njoftoi se duke nisur nga sot, analizat laboratorike do të jenë më të shpejta. Për parandalimin e epidemisë të gjitha shkollat dhe universitet e Meksikës do të qëndrojnë të mbyllura deri më 6 maj.

Komisari i BE për shëndetin Andrulla Vasiliu vendosi të thërrasë nesër në Bruksel një mbledhje me ndërmarrjet farmaceutike për të biseduar mbi gjendjen dhe aftësitë për përballimin e emergjencës së epidemisë së etheve të derrave. Sëmundja infektive e cila ka goditur tashmë Meksikën dhe SHBA, dje arriti në Evropë. Disa raste infektimi u konfirmuan në Spanjë dhe në Skoci.

Edhe Italia hyn në vendet që dyshohen se kanë raste të epidemisë së etheve të derrit. Kështu tha komisarja evropiane për Shëndetin Andrulla Vasiliu gjatë një takimi me median në Bruksel. “Danimarka, Suedia, Republika Çeke, Greqia, Gjermania, Italia dhe Irlanda janë vendet e BE për të cilat dyshohet se kanë raste me epidemi” vijoi në deklaratën e saj për shtyp komisarja evropiane, duke theksuar se gjashtë rastet e identifikuara dje në Belgjikë, rezultuan negative.

Nga ana tjetër Organizata Botërore e Shëndetësisë (OMS) me sa duket, nuk do ta ngrejë nivelin e alarmit në 5 nga 4 që është aktualisht. “Niveli do të ngrihet vetëm atëherë kur të jemi të sigurtë se gjendemi përpara një pandemie”. Kështu deklaroi për median zëdhënësi i kësaj organizate Gregori Hartël. Ndërkaq frika e përhapjes së epidemisë goditi edhe bursat evropiane. Sot ato i hapën kontraktimet me humbje.







All the contents on this site are copyrighted ©.