(27.04.2009 RV)Sot paradite Benedikti
XVI priti në audiencë presidentin e Republikës së Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko
i cili, më pas, i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Sergei Martinov, u takua
me kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, dhe me imzot Dominik
Mambertì, sekretar për marrëdhëniet me shtetet. Gjatë bisedimeve, të zhvilluara
në një atmosferë pozitive – njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë
së Shenjtë – u fol për lidhjet ndërmjet fesë e arsyes dhe për dialogun ndërkonfesional
e ndërkulturor. U trajtuan edhe tema me karakter ndërkombëtar, lidhur me promovimin
e paqes dhe të progresit të vërtetë të njerëzimit si dhe me disa probleme të brendshme
të vendit, argumente që kanë të bëjnë kryesisht me Kishën katolike në Bjellorusi dhe
me perspektivat e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy palëve. U fol, së fundi,
për bashkëjetesën paqësore ndërmjet bashkësisë katolike, asaj ortodokse e konfesioneve
të tjera fetare.