2009-04-27 17:04:53

Nesër Papa Benedikti XVI shkon në zonat e tërmetit në Abruco


(27.06.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI do të shkojë nesër në Abruco të Italisë për t’u takuar me popullsitë e dëmtuara nga tërmeti. Në orën 9.30 do të mbërrijë në lagjen Ona me helikopter, pastaj, me automobil do të shkojë në Akuila. Etapa e parë në bazilikën e Kolemaxhos për të nderuar reliket e Papës Çelestini V. Më pas do të ndalet në Shtëpinë e Studentit e në një shesh të Kopitos, do të takohet me kryetarët e bashkive dhe me famullitarët e vendeve më të goditura nga tërmeti i 6 prillit. Më i rëndësishmi, takimi me besimtarët dhe me personelin e Mbrojtjes Civile, me të cilët Papa do të thotë Lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Së fundi, pas përshëndetjeve, Ati i Shenjtë do të kthehet në Vatikan, në mesditë.
Akuila po përgatitet ta presë, vërtet në tenda, por e gatshme ta përqafojë me ngrohtësi Bariun e Kishës Katolike. Kujtojmë se 65 mijë vetë ndodhen aktualisht jashtë shtëpive, nga të cilat kanë shpëtuar pa probleme vetëm 54%. 15 mijë shtëpi janë shembur krejtësisht. Se ç’presin abrucezët nga Papa, na e thotë në mikrofonin tonë kryeipeshkvi i Akuilës, imzot Xhuzepe Molinari:
 
E rëndësishme është që Papa të na përforcojë në fe. Ai na tregon rrugën që duhet ndjekur, ai na thotë se nga ç’anë qëndron e vërteta, që udhëheq popullin e krishterë; ai na siguron e na çliron nga dyshimi. Në këtë moment, përforcimi i vëllezërve të vet në fe, i këtyre vëllezërve të sprovuar, të vuajtur, bëhet edhe më i bukur, ka një domethënie më të thellë. Një herë, një teolog më tha: “Unë pres nga ipeshkvi im të më përforcojë në fenë e Krishtit të ringjallur”. Papa vjen pikërisht për këtë. Do të thotë të lemë mbrapa gjithçka që ka shijen e mosbesimit, të nënshtrimit, të dyshimit, të mosimpenjimit në luftën për të ecur përpara. Besimi në Krishtin e ringjallur do të thotë të lemë mënjanë kulturën e vdekjes, që është kriza e shpresës, për të ecur vendosmërisht në rrugën e Zotit, duke e lëshuar veten në dorë të Tij edhe kur është shumë e shumë e vështirë: e në këtë moment, është e vështirë. Në dritën e fesë, ne nuk kemi shpjegime të gatshme, abstrakte, por kemi shembullin e Krishtit, i cili, duke u ngjitur në Kryq, duke vuajtur e duke dhënë jetën, shëlboi gjithë botën. 







All the contents on this site are copyrighted ©.