2009-04-27 17:03:50

Gripi i derrit arrin edhe në Evropë


(27.04.2009 RV)RealAudioMP3 Rasti i parë u kap në Spanjë, por edhe në vende të tjera janë duke u bërë kontrolle. Bashkimi Evropian do të mbledhë të enjten ministrat e shëndetësisë, ndërsa qeveria meksikane e jep të rritur numrin e të vdekurve, që dyshohet të kenë qenë sëmurë me këtë lloj gripi, përzierie e gripit të pulave, të derrit e të njeriut. Departamenti amerikan i Shëndetësisë parashikon raste më të rënda dhe mundësinë që të ketë të vdekur edhe në SHBA-të. Një rast është gjetur edhe në Hong Kong. Alarmojnë deklaratat nga Gjeneva të zv.drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Fukuda, sipas të cilit “ka mundësi që virusi të ndryshojë, duke u bërë më i rrezikshëm për popullsinë”.
Në Meksikë, viktimat e kanë kaluar njëqindëshin, ndërsa mëse 1.600 vetë janë shtruar në spital. Kryiepeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Karrera, “i shqetësuar dhe i trishtuar për gjendjen”, lajmëroi se do të pezullohen deri në një urdhër të ri, të gjitha meshët në kryeqytet. Besimtarët mund të shkojnë nëpër kisha për t’u lutur, por mesha duhet ndjekur përmes radios o televizionit. Për sqarime të mëtejshme iu drejtuam koordinatorit italian të departamentit të ambientit e shëndetit për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Roberto Bartolini:
Ky virus i gripit të derrit i është transmetuar njeriut dhe ka marrë karakteristika të tilla, për të cilat duket se është i aftë të përhapet edhe mes personave, që nuk janë në kontakt të drejtpërdrejtë me derrat. Prandaj, transmetohet nga njeriu në njeri. Aktualisht, virusi shkakton bronkopolmonit të rëndë dhe ka vdekshmëri të lartë.
A ekziston rreziku i pandemisë, pra i përhapjes aq të madhe të virusit, sa të shkaktojë vdekjen e miliona personave?
Sa herë që shfaqet një virus i ri me karakteristika të reja, që infekton njeriun siç nuk ka bërë më parë, ekziston gjithnjë kjo mundësi. Kjo është arësyeja për të cilën ne po kontrollojmë gjendjen, sëbashku me strukturat e SHBA-ve, të Meksikës, të Kanadasë, për të kuptuar se deri ku arrin virusi: vdekshmëria dhe agresiviteti i tij. Por, në këtë moment, nuk jemi në gjendje të themi nëse është fillimi i ndonjë pandemie, apo nëse është një virus, që po shkakton, të themi, bërthamën e parë të një pandemie. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të presim, të kontrollojmë me vëmendje situatën dhe zhvillimin e saj.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.