Shqipnia, për hir të vendosjes së Shenjtenores së Zojës së Këshillit Mirë, ka qenë
ndër shekuj pikë takimi e ndeshjesh ndërmjet kombesh e kulturash të ndryshme. Vendosja
e saj gjeopolitike ka përcaktue situata me karakter politik e kulturor, tue pasë qenë
qysh në lashtësí kalim i detyrueshëm i Lindjes drejt Prendimit dhe anasjelltas, për
hir edhe të ndërtimit gjeologjik të brigjeve të saja, të rrafshta e me ranishta të
pafund. Për ket arsye ka marrë, përçue e rrezatue kulturë në caqet e Adriatikut e
të Ballkanit.
Zhvillimi i Shqipnisë, qysh nga epoka klasike ilire, deri në
prak të pushtimit turk, pasqyronte nji zhvillim që nuk kishte gjâ mangut kundrejt
përparimit të vendeve kufitare, dhe që në disa rasa kapërcehej në mënyrë të shkëlqyeshme,
në pikëpamje teologjike, kulturore, shkencore e juridike, prej përfaqësuesve mâ në
shêj të fisit të vet.
Qysh në zanafillë, krishtenimi e ka vulosë praninë e
vet në tokën shqiptare me anën e veprës së nji Apostulli të madh, Shën Palit, i cili
në shtegtimet e veta, që përfunduen me martirizimin e tij në Romë, përhapte ndër ilirë
mësimet e Jezu Krishtit. Krishtenimi, i përndjekun prej nji vargu perandorësh romakë,
mbas gati tre shekujsh, do të lulëzonte përsëri, derisa t'u bante, mbas shpalljes
s'Ediktit të Konstantinit, fé shtetnore. Krishtenimi ka qenë, dhe kjo duhet të nënvizohet,
e vetmja fé e pranueme në Shqipní kundër vullnetit të pushtuesit.
Për të gjatë
mesjetës në qytetet e saja, për hir edhe të marrëdhanieve tregtare që lulëzojshin
me vendet bregdetare të Mesdheut, nji zhvillim të spikatun patën shkencat humanistike,
sidomos në qytetet e Veriut të Shqipnisë, të drejtueme me statute të veta, si Shkodra,
Drîshti, Tivari, Ulqini, Lezhja e Durrësi. Sa personalitete me vlerë u jepshin shkëlqim
e autoritet universiteteve të bregut italian të Adriatikut, ndër të cilat shquhej
ai i Padovës, tue lanë nji gjurmë të pashlyeshme me praninë e tyne, përgatitjen e
kulturën humanistike. Kjo vlen edhe për bregun dalmatin. Emna si ai i Barlecit, i
Beçikemit, i Tomeut ose i Gazullit e të kaq të tjerëve, qenë lavdi i këtyne universiteteve.
Duhet vû në dukje se pranë Universitetit të Padovës, Tomeu pat dishepull të vetin
Nikollë Kopernikun në zâ, ndërsa prifti shkodran Marin Barleci, historian e humanist,
botonte në vjetët e para të `500, përveç nji kronike të rrethimit të parë të Shkodrës
nga ana e turqve (1474), prej të cilit këta u tërhoqën me turp, nji biografí historike
të Heroit tonë Kombtar, Gjergj Kastriotit-Skanderbegut, dhe nji vepër mbi papë e perandorë.
Të gjitha, simbas traditës humanistike, të shkrueme latinisht, lingua universalis
e asaj kohe, dhe që Erazmi prej Roterdami e cilësonte si të vetmen gjuhë kulture.
Në
ketë frymë kulture, tradite e historie pati zhvillimin e vet Shkodra, nji ndër qytetet
mâ të randësishme të pellgut të Adriatikut: «nji qytet që ka hy në histori me shêjet
e fisnikisë e të pushtetit që ja kanë dhanë qytetnimet e njimbasnjishme të Europës
jug-lindore». Shkodra mesjetare mblidhej te rranza e kodrës së kështjellës «Rozafa»,
e cila sundonte e shtrinte shikimin e vet në fushën Mbi- e Nënshkodër, në nji pozicion
të përkryem në pikëpamje strategjike, e mbrojtun prej shpatit thik të kodrës e prej
lumejve, që rrjedhin në dý anë të saja.
Kisha e kuvende, simbas fjalës së Barlecit
e të dokumentave që i dishmojnë në arkivat e Venedikut, Raguzhës e të Vatikanit, e
mbushin qytetin mbi e nën kodër. Dëshmí që ka mbetë e vetme, sepse burimet dokumentare
vendase qenë shkatrrue në gati pesëqind vjetët e sundimit barbar turk.
Në shekullin
xv, në qytet e mbi kodër, do të kujtojmë: kishën e Sh'Nëkollit, të Shën Aponalit,
të të gjithë Shêjtënve, si dhe të Shën Teodorit e të Shêjtes Krygjë. E mandej Sh'na
Vlashi (kisha e tregtarëve të Raguzhës, e shndërrueme në hamam dhe e shkatrrueme në
fillim të vjetëve '60), Sh'Illia, kisha katedrale e Shën Shtjefnit (e fundit të shekullit
xiii, e stilit romanik-gotik), kisha famullitare e Sh'Nëkollit dhe ajo e Sh'Mërisë
së Shkodrës. Kurse në afërsí të qytetit, në Dêjë, nji tjetër kishë kushtue Sh'Mërisë,
e vetmja e stilit romanik-gotik që pat mbërrijtë shëndosh mbas 500 vjetëve shkatrrimi
turk, nji xhevahir i vërtetë arti, e cila qe hjedhë në erë me dinamit gjatë të ashtuquejtunit
«revolucion kultural» komunist. Në Shirq kemi rrenojat e nji kishe të të njajtit stil
e periudhe ndërtimore, atê të Shêjtënve Shirgj e Baht, mbrenda rrethit të nji monastiri
të lashtë benediktin, prej të cilit nuk duken mâ as gjurmët në sipërfaqe.
Kah
fundi i shekullit xiv u dukën për herë të parë në tokën shqiptare urditë turke, të
cilat i kishin thirrë feudalët shqiptarë në grindjet e tyne të mjera. Të verbuem prej
egoizmit nuk e kuptuen fatkeqësinë e madhe, që po i shkaktojshin kombit të vet.
Me
1467, nji vjetë para vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skanderbegut, prania e turqve në
trollin shqiptar po shtohej dita-ditës. Kjo praní shoqnohej me rrenimin e plotë të
fshateve e të fushave, me kerdinë e popullit të pambrojtun.. Prej kështjellës, që
sundonte qytetin mesjetar, shiheshin fshatet krejt flakë, të cilat diftojshin përparimin
e akinxijve turq.
Në vjetin 1467 ndodhi diçka me randësí për Kishën e për popullin
shqiptar. Âsht vjeta kur, si rrjedhim i nji inkursioni turk, qyteti qe braktisë e
qytetarët u bartën mbi kodër, mbrenda kështjellës, ku jetuen deri kur, me 1479, merguen
në Venedik. Âsht vjeta kur në traditën e Shkodrës kujtohet shpërngulja e Fugures Shêjte
të Zojës së Këshillit të Mirë. Âsht vjeta kur fugurja shfaqej në Gjenacan, e shoqnueme
prej dy shkodranëve, Gjergji e Shkjau (Giorgi e De Sclavis).
Mbasi venedikasit
ja patën dorëzue Shkodrën turqve, me nënshkrimin e traktatit të paqes të 25 janarit
1479, nuk qe mâ e mundun me pasë lajme që të provojshin shpërnguljen e Fugures Shêjte
dhe traditën e lidhun me `tê në Shkodër.
Ipeshkvi Dillon vrén se «nji ngjarje
me nji shenj paralajmues kaq fatzí, duhet të ketë depërtue thellë në zemrat e Shqiptarëve
të mjerë, që nuk kishin mundësí të mergojshin», kurse «ata që nuk ndigjuen me mohue
fenë e të parëve, do të kenë marrë në nënshtrimin e vet gjykimin e drejtë të Perendisë
për vendin e tyne, dhe prandej janë lidhë mâ ngusht përreth fesë së vet».
Prandej
nuk qe e mundun për nji kohë të gjatë me pasë lajme të sakta rreth traditës vendase
shqiptare, në lidhje me shpërnguljen: Ishte e pamundun, sepse të gjithë të huejt shiheshin
me dyshim. Kah gjysma e shekullit xviii diçka lëvizi, dhe pati disa hapa prej ane
së njerëzve që mund të jepshin njoftime mâ të hollësishme.
Relacioni i parë
qe dërgue prej Kontit e Kapidanit Stefano Medin me 25 korrik 1745, Giovanni Battista
Medin-it. Aty dishmohet prania në Shkodër e nji kishe të rrenueme kushtue «Shêjtes
Nuncjatë», e cila bante mrekullí, ndër `to edhe përpjekje të ndryshme e të kota për
me e kthye në xhamí. Ndërsa, për sa dihet prej traditës, disa banorë të qytetit të
Shkodrës thoshin se kjo Fugure Shêjte kishte qenë bartë, e disa të tjerë pohojshin
se ishte nisë vedi.
Mbas dý vjetësh, me 1747, gjindej në Romë, në Kishën e
Aracoelit, në të cilën po kremtohej Tetëshja për kanonizimin e Shën Pjetrit Regalato,
Kola i Ndoc Kamsit, «fisnik i Qytetit të Shkodrës, e Provanik i nandë Kishëve, që
gjinden në afërsí të Qytetit të sipërthanun për Misionarët Papnorë, dhe Ipeshkvijt
e dërguem prej Kongregatës Shêjte të Propaganda Fide». N'atë vjet, tue mos dijtë italishten,
nuk mujti me kumtue drejtpërdrejt dishminë e vet dhe kjo kje bâ prej abatit Dom Gaspër
Curri, që kryente detyrën e përkthyesit dhe që shoqnonte Kolë Kamsin. Me 9 fruer 1748
Kola i Ndoc Kamsit, tue e pasë mësue në mënyrë të mjaftueshme italishten, lëshoi nji
dishmí në të cilën përsëritte çka kishte deklarue me 1747.
Mâ vonë kemi të
tjera dishmí, ndër të cilat ajo e Atit Giampiero da Bergamo O.M. Prefekt Papnor i
Misioneve të Kastratit e i Parë i Kuvendit të Françeskanëve të këtij qyteti, e 16
korrikut 1878, që jep nji përshkrim interesant dhe të hollësishëm të rrenojave të
kishës. Nji hollësí për t'u vrejtë âsht zgavra që si përmasa ju përgjegjte atyne të
pikturës së nderueme dhe që gjindet në Gjenacan. Ndërsa dy dritore të nji kthine «kanë
arkitrenë me hark të mprehtë të stilit gotik». Me këtê provohet se stili dhe koha
e ndërtimit, para pushtimit turk, kanë qenë të gjashme me ata të katedrales së Shën
Shtjefnit e të kishave të Sh. Shirgj e Baht e të Sh'Mërisë. Në ketë dokument shenjohet
dyndja aty, jo vetëm e besimtarëve katolikë, por madjè edhe të vetë myslimanëve «për
me pasë përfitime shpirtnore e shekullore».
Ky relacion kje hartue prej Atit
Mariano da Palmanova O.M., nënshkrue prej anëtarëve të komisionit dhe legalizue nënshkrimet
e tyne prej Argjipeshkvit të Tivarit e Shkodrës, Imz Karl Pooten.
Me 17 dhetor
1878, Imz. Engjëll Radoja, lëshonte nji tjetër dishmí me randësí në lidhje me vendosjen
e kishës, të quejtun kishëz, në të cilën gjindej «Fugurja e Zojës së Shkodrës – Fuguria
e Zois Sckoders». «Me të vërtetë kjo Kishëz, si sot, si atëherë, gjindej në njenën
ndër lagjet e jashtme, të quejtun qysh prej vjetve të parë të vershimit të tmershëm
të turqve – Ali-Begh-Mahâlasi. Kjo lagje, sot gjashtëdhetë vjet, ishte plot me shtëpia
e banorë të gjithë Myslimanë». Kjo, sepse në atë kohë katolikët e kishin të ndalueme
rreptësisht që të banojshin në qytet.
Dishmia e Imz. Radojës na jep, përveç
kësaj, njoftime interesante, prej të cilave disa pasqyrojnë atê që thotë tradita mbas
rrethimit të 1478-79. «Turqit…, posa u banë të zotët e Shkodrës, mâ keq se vandalët,
prishën mbishkrimet e shenjat që do të kujtojshin Fenë e Krishtenë, dhe dogjën librat
e gjanat e tjera shkencore e fetare»:Përveç kësaj vijon tue pohue se «Nuk âsht e vërtetë
mandej me pohue se të krishtenët me pushtimin turk ose i ranë mohit fesë, ose ata
që deshën me qindrue në fé u strehuen ndër male ose ikën në Italí. Kjo dihet për disa,
por jo për të gjithë. Shumë sish patën leje me banue në Zus, Tebuenë, Berdicë, Kuç
e Rrmanj, vende shumë afër qytetit».
Gjendja fetare në Shqipní gjatë pushtimit
osman ishte bâ e padurueshme. Kah fillimi i shekullit xviii, përfundue `600-shi, shekulli
i apostazisë së madhe, përpara nji vargu parregullsísh të vrejtuna në Kishën Shqiptare,
kler e besimtarë të asaj kohe, u bâ e detyrueshme mbledhja e Kuvendit të Parë të Arbënit
në Merqinjë, pranë Lezhe, me 1703. Ketë kuvend e ndoqën edhe dy të tjerë: i dyti (1871)
dhe i treti (1895). Të dy, të mbledhun në Shkodër, parashtrojnë e pasqyrojnë rishtas
të gjitha ato parregullsí të kundrueme në Kuvendin e parë. Këto parregullsí duhet
t'u shkruhen ndër të tjera edhe vështirësive që i paraqiteshin Kishës, ndër të cilat
korrupsioni i autoriteteve turke dhe pengesat e shtimuna ndërmjet që të mos rregullohej
gjithçka shkonte kundër shestimeve të Kishës. Gjithashtu, Kuvendi i Tretë (1895) propozoi
si mbrojtëse e pajtore të Shqipnisë Virgjinen Nanë të Këshillit të Mirë, e njohun
përgjithësisht si Zoja e Shkodrës. Ky vendim u mor njizani dhe iu parashtrue Atit
të Shêjt, Papës Leonit xiii, papa i Rerum Novarum, dhe jo vetëm mori pëlqimin, por
përveç kësaj kje shpallë 26 Prilli si ditë kremtje për dioqezet e Shqipnisë.
Tue
kenë se gjatë pushtimit turk nuk ishte i lejuem në mënyrë të preme rindërtimi i kishave
të rrenueme gjatë shekujve, aq mâ pak zbatimi i punimeve për meremetimin e tyne, u
desh të mbërrihej deri mbas pavarësisë së Shqipnisë prej zgjedhës turke (28 Nandor
1912) për me nisë rindërtimin e Shêjtnores së kushtueme së nderuemes Zojë të Shkodrës.
Pikërisht
me 1917, në kulm të Luftës së Parë Botnore, qenë nisë punimet.
Me 23-26 prill
1917, u kremtue me madhështí 450 vjetori i shpërnguljes prej Shkodre i Fugures Shêjte.
Në atë rasë morën pjesë në kremtim Argjipeshkvi i Shkodrës, Imz. Jak Serreqi, Argjipeshkvi
i Durrësit, Imz. Prend Bjanku, Ipeshkvijtë e Lezhës e të Zadrimës, Imz. Luigj Bumçi
e Imz. Gjergj Koleci. Ishin të pranishëm, përveç autoriteteve vendase, Kryekomandanti
i Korparmatës xix austro-hungareze, Gjenerali Ignatius Trollmann, G. v. Bolberitz,
Konsulli i Përgjithshëm August Ritter von Kral, i cili gjatë Luftës së Parë Botnore
zente kambën e Komisarit Civil në Shqipní dhe Konsulli Karl Halla.
Për me gazmue
gjithçka ndihmuen banda ushtarake austriake, ajo qytetse dhe Schola Cantorum e katedrales
së Shkodrës.
Për rindërtimin ndihmuen njizani e me zemërgjanësí populli i Shkodrës
dhe i fshateve të Arkidioqezës. Përveç ipeshkvijve, klerit e autoriteteve qytetse
dhe krejt popullit, u bashkuen në mënyrë kuptimplote teologët shqiptarë pranë Universitetit
të Innsbruck-ut në Austrí, të cilët me anën e nji fushate në shtypin austriak mbërrijtën
me mbledhë nji shumë të randësishme.
Toka mbi të cilën gjindeshin germadhat
e shêjtnores së lashtë, mbi nji sipërfaqe prej 10.262 m2 me nji vlerë 7.500 koronash
austriake, i dhurohej prej Komandës së Naltë të Korparmatës xix austriake, Argjipeshkvisë
së Shkodrës. Për me ligjësue ketë akt, qe hartue nji dokument pronësie që, me 7 korrik
1917, i qe dorëzue Argjipeshkvit të Shkodrës, Imz. Jak Serreqit. Qe hapi i parë. Mâ
vonë, me 31 korrik, qe bekue guri i parë, ndërsa me 17 gusht, në praninë e Argjipeshkvit
të Shkodrës, të Baroneshës Mari, bashkëshorte e Gjeneralit Trollmann dhe të nji numri
të madh oficerësh, vetë Gjenerali, zbriti në gropën e themeleve, vendosi gurin e parë
me nji pergamenë mbrendë, dhe mbasi shtroi llaçin, me nji mistrí të vogël, pati përgëzimet
dhe falënderimet e Imz. Argjipeshkvit për zellin e treguem për rindërtimin e Shêjtnores
së Zojës së Këshillit të Mirë.
Me 1944 erdhën kohë të zymta për Kishën dhe
Kombin shqiptar. Shteti komunist, marksist-leninist e prandej ateist, u sul me furí
kundër gjithçka përfaqësonte katoliçizmin në Shqipní. Qenë shkatrrue institucionet
fetare, shkollat, plaçkitë bibliotekat, muzetë dhe të gjitha veprat kulturore që ishin
zhvillue në Shqipní prej Kishës, e cila mbante parësinë e plotë në ketë fushë qysh
prej mesjetës dhe mâ përpara. Dhe Shkodra, qendër e katoliçizmit, qe qyteti mâ i përndjekun
me vrasjen në masë të meshtarëve e të shekullarëve, vetëm për besnikinë e tyne kundrejt
besimit të vet fetar dhe parimeve të krishtena. Kurse me «revolucionin kultural» të
tipit kinez, përndjekja fetare mbërrinte kulmin e vet me mbylljen e të gjitha kishave,
shkatrrimin e tyne ose shndërrimin në pallate sporti ose në depo shtetnore. N'atë
rasë i erdhi radha Shêjtnores së Zojës së Këshillit të Mirë, që të pësonte barbarizmin
«kultural». Përveç se u rrafshue ndërtesa, qenë nxjerrë mbetjet e Argjipeshkvit të
Shkodrës, Jak Serreqit, i vorruem mbrenda kishës, dhe tretë në lumin që rrjedh aty
pranë. Ashtu si patën bâ me mbetjet e Poetit tonë Kombtar, Atit Gjergj Fisha O.F.M.
Me
kthimin e ligjshmënisë në Shqipní, me shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e
demokracisë kaq të pritun, filloi nji punë e vijueshme dhe e dendun për me rindërtue
gjithçka mund të shpëtohej. Shumë u paraqitën për rindërtimin e kishave, kusht paraprak
për rindërtimin e ndërgjegjeve, të damtueme randë prej nji ideologjie shterpe si ishte
marksizëm-leninizmi.
Do të rilindte edhe Shêjtnorja e Zojës së Shkodrës. Me
projekt e përmasa të njajta, si kishte qenë para shembjes.
Dhe erdh dita e
lumë. Ati i Shenjtë Gjon Pali II, në prak të vizitës historike në Shqipní, që posa
kishte pështue prej komunizmit, shkonte në Gjenacan për me nderue Fugurën e Zojës
së Këshillit të Mirë.
Kur erdh në Shkodër bekoi gurin e parë për rindërtimin
e dytë të Shêjtnores. Kjo ndodhte me 25 Prill 1993, ditë kur populli shqiptar në tanësinë
e vet, pa dallime, myslimanë, ortodoksë e katolikë kishte vershue ndër rrugë e sheshe
të qyteteve për me pritë, me mikpritjen e vet tradicionale e me zemër të pastër, Mikun
e Madh të Shqipnisë e të Shqiptarëve.
Qysh me 10 mars 1991, kur zente fill
shembja e regjimit orlig komunist, shqiptarja Nanë Terezae Kalkutës, mbasi kishte
marrë lejen, të mohueme kaq e kaq herë kur desh të shihte, endè gjallë, nanën e motrën
e vet, kishte ardhë për vizitë në Atdheun e vet e ulej me u lutë mbi rrenojat e Shêjtnores
së Virgjines Nanë të Këshillit të Mirë.
Ky vend i shenjtë kulti pati për mecenat
nji shqiptar të mergimit historik, ruejtës i traditave kombtare e shpirtnore të zanafillës
së vet, Imzot Simeone Duca, pasardhës i merituem i Kolonisë së Arbëneshit (Borgo Erizzo)
të Zarës, koloní shqiptarësh që, në shekullin xviii, e mirëpritun prej Republikës
së Venedikut, zuni vend në lagjen që prej Fisnikut Erizzo mori emnin.
Populli
shqiptar shprehë mirënjohjen e vet kundrejt Imzotit Duca dhe e falënderon, tue i pasë
kthye ky kultit, me zemërgjanësinë që e dallon, njenën ndër shêjtnoret e mëdhaja që
gjinden në dheun e Shqipnisë, objekt i nji përshpirtnie të përvujtë e të flakët, jo
vetëm për katolikët, por edhe për besimet e tjera që janë në Shqipní.
Si përfundim
na duket se, për nji Shêjtnore të shkatrrueme në rasa të ndryshme e të rindërtueme
mandej, të jenë kuptimplote fjalët e Tênëzot drejtue Sh'Pjetrit: "et portae inferi
non praevalebunt".