2009-04-25 17:58:06

Papa mësuesve të fesë, që i priti në Vatikan: përmasa fetare e bën njeriun më njeri.


(26.04.2009 RV)RealAudioMP3 “Larg së qeni ndërhyrje apo kufizim i lirisë”, prania e mësuesve të fesë në shkollën italiane është një shembull i mirë i asaj fryme pozitive, që bën të mundur bashkëjetesën civile konstruktive, bazuar mbi respektin dhe dialogun e vërtetë, vlera këto, për të cilat ka gjithnjë nevojë çdo vend. Kështu theksoi sot Benedikti XVI në përfundim të Takimit, që me iniciativën e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, mblodhi në Romë rreth 8 mijë mësues të fesë nga e gjithë Italia, të cilët reflektuan këto ditë mbi temën: “Unë nuk turpërohem nga Ungjilli”.
“Përmasa fetare – kujtoi Papa – nuk është superstrukturë; ajo është pjesë përbërëse e njeriut, që nga fëmijëria e parë; është hapja e zemrës ndaj tjetrit dhe ndaj misterit, që karakterizon çdo marrëdhënie e çdo takim ndërmjet njerëzve. Përmasa fetare e bën njeriun më njeri”.
Mësimi i fesë i jep shkollës shpirt, vazhdoi Ati i Shenjtë. Falë tij, shkolla e shoqëria pasurohen me laboratore të vërteta kulture e humaniteti, në të cilat, po të kemi parasysh kontributin e krishterimit, njeriu bëhet i aftë të zbulojë të mirën e të ndërgjegjësohet, të kërkojë konfrontimin e ta bëjë më të mprehtë sensin kritik, të shqyrtojë të kaluarën për të kuptuar më mirë të sotmen e për t’u projektuar me vetëdije drejt së ardhmes. Përmasa fetare është pjesë e kulturës, kontribuon në formimin e përgjithshëm të njeriut dhe i bën atij të mundur shndërrimin e njohurive në dituri për jetën.
Pikërisht në këtë udhëkryq, në të cilin takohen prirja universale drejt së vërtetës dhe dëshmija dymijëvjeçare e besimtarëve të fesë, majat e jashtëzakonshme të njohurive e të arteve, që ka fituar shpirti njerëzor dhe pasuria e mesazhit të krishterë, gjen vend shërbimi i çmuar i mësuesve të fesë, sipas Papës Racinger. Në përfundim të takimit të djeshëm, Ati i Shenjtë u uroi mësuesve të fesë, që të mos turpërohen kurrë nga Ungjilli e që ai Zot, të cilin ua mësojnë fëmijëve në shkollë, të jetë me të vërtetë pikë referimi edhe për jetën e tyre!







All the contents on this site are copyrighted ©.