(25.04.2009 RV)Të panumërta ndërhyrjet e Gjon Palit II për fatet e Kosovës
e të shqiptarëve të krahinës, sidomos në vitet 1998-99, në çaste më dramatike për
vendin e popullsinë. 8 mars 1998: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shpreh
shqetësimin për situatën dramatike në Kosovë dhe lutet për popullsitë e munduara. 7
qershor 1998: – Papa i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej
nga vijojnë të vijnë lajme që flasin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson
Papa – në Kosovë, opcionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos
e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore,
të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. 9 gusht 1998: –
në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj posaçërisht
për banorët e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë të bëhen
gjithnjë më dramatike”. 4 tetor 1998: - Gjatë lutjes të Engjëllit të Tënzot, Papa
i këshillon palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut, ndërsa i kërkon bashkësisë
ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq, por të japë ndihmesën e vet që vlerat si mirëkuptimi,
respekti reciprok, falja e pajtimi t’i zënë vendin dhunës e shkatërrimit. 9 nëntor
1998: - Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e saj thellë për ndërhyrjen e mundshme
të armatosur të Natos në Kosovë. Imzot Tauran, Sekretar i Shtetit të Vatikanit për
marrëdhëniet me shtetet, kujton fjalët e shqiptuara një të dielë më parë në Split
nga Gjon Pali II, pikërisht për gjendjen në Kosovë: “Bashkësia ndërkombëtare duhet
t’i japë sa më shpejt ndihmën e vet Kosovës”. 25 dhjetor 1988: - Në natën e Krishtlindjes
1998 drama e Kosovës është sërisht në qëndër të vëmendjes së Papës. 3 janar 1999:
- Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Gjon Pali II thekson dramën e Kosovës, duke pohuar:
“Drama e Kosovës, ku natën e Krishtlindjes pati ndeshje të reja të armatosura, është
përherë e pranishme në zemrën time”. 11 janar 1999: - Ati i Shenjtë ndalet te situata
në Kosovë gjatë takimit me Trupin Diplomatik akredituar pranë Selsië së Shenjtë, për
shkëmbimin e urimeve të vitit të ri, duke theksuar: “Duhet bërë ç’është e mundur për
t’i ndihmuar kosovarët e serbët të ulen në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që t’i
jepet sa më shpejt fund mosbesimit të armatosur, i cili paralizon e vret”. 15 janar
1999: - Duke pritur në audiencë kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko, Gjon Pali
II u ndal tek domosdoshmëria për gjetjen e rrugëzgjidhjes paqësore në Kosovë dhe tek
gjendja e refugjatëve. Detyra kryesore – u theksua – është të ndahen kundërshtarët
e të çarmatoset agresori; e këtë duhet ta bëjë ai që ka mundësi për ta bërë, dmth
bashkësia ndërkombëtare. Pastaj, me afate të mesme e të gjata, do të jetë e nevojshme
të rivendoset “respektimi i marrëveshjeve” e të ndihmohen serbët dhe shqiptarët të
pajtohen”. 20 janar 1999: - Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa bën
thirrje për paqe në Kosovë. 21 janar 1999: - Ati I Shenjtë shtron për zgjidhje
problemin e Kosovës në një telegram drejtuar ipeshkvijve jugosllavë. Përballë ashpërsimit
të krizës – shkruan – e ndjej për detyrë t’u shpreh të gjithë njerëzve të munduar,
afërsinë time atërore, ndërsa u bëj thirrje sërisht udhëheqësve të jetës publike t’i
japin fund spirales së dhunës e të kërkojnë rrugën e dialogut ndërtimtar, duke respektuar
të drejtat e patjetërsueshme të çdo njeriu”. 11 shkurt 1999: - Në emër të Papës,
kardinali Angelo Sodano, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, bisedon me kryeministrin
italian, Massimo d’Alema, mbi krizën në Kosovë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
të lirisë fetare e të paqes në vend. 22 shkurt 1999: - publikohet një Komunikatë
e sallës së Shtypit të Vatikanit mbi qëndrimin e Selisë së Shenjtë, përmes së cilës,
pasi vihen në dukje ndërhyrjet e panumërta të Selisë Apostolike dhe personalisht të
Papës Gjon Pali II, urohet të gjindet akoma një rrugëzgjidhje paqësore e afatgjatë
që t’i japë fund konfliktit. 21 mars 1999: - Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot,
Shenjtëria e Tij flet për situatën e tensionuar në Kosovë dhe i fton besimtarët të
luten për bashkësinë shqiptare, që ka përshkuar një udhë të vërtetë kryqi e prandaj
ka të drejtë të presë rrugëzgjidhje, që respektojnë historinë dhe të drejtën e saj. 24
mars 1999: - Në audiencën e përgjithshme Papa dënon sulmin ajror mbi Kosovë dhe i
lutet Zotit për dhuratën e paqes në Krahinë e në mbarë Evropën. 26 mars 1999: Në
kapelën e Tij Private, Gjon Pali II Lutet për paqen në Ballkan. 28 mars 1999: gjatë
lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit, Ati I Shenjtë ngre zërin duke
theksuar se është me popullin që vuan dhe u bën thirrje të gjithëve: Eshtë ora e paqes!
Mbi forcat e urrejtjes, duhet të ngadhënjejnë vëllazërimi e mirëkuptimi. Qofshin këto
gema ulliri simbol i paqes që e dëshirojnë aq shumë popullsitë e zonës ballkanike
– uron Papa. Fillon ndërkaq ndërmjetësia e Vatikanit për paqen në Kosovë. Më
31 mars 1999: - Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor
Unum, organizëm i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë
ndihmat humanitare. Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson:
Fëmijëve, nënave, pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të
jetë përherë, derisa të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Tepër gjak e
tepër lot ka parë të rrjedhin kjo popullsi gjatë gjithë shekullit XX. Ndërsa më
1 prill 1999 dërgon Imzot Jean Louis Tauran, sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhniet
me shtetet, në Beograd, me një mesazh të posaçëm për Presidentin e Republikës Federale
të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç. 2 prill 1999: - Në përfundim të Udhës së
Kryqit në Koloseo, të Premten e Madhe, Gjon Pali II pohon: “I përbuzur e i dëbuar
është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në luftën e Kosovës dhe kudoqë ngadhënjen
kultura e vdekjes”. 4 prill 1999: - Në Mesazhin e Pashkëve, Papa kujton situatën
në Kosovë, falënderon dhe uron të gjithë ata që u qëndrojë pranë refugjatëve, duke
i mirëpritur e duke i ndihmuar. 5 prill 1999: - Në të Hënën e Engjëllit, gjatë
lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare
në Kosovë, ku – siç shprehet - këmbanat nuk kanë rënë për festë e ku vijon shkatërrimi,
shpërngulja e vdekja. 9 prill 1999: - Ati i Shenjtë u bën thirrje autoritetve të
Republikës Federale të Jugosllavisë të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për
të krijuar mundësitë të arrijnë ndihmat në kufirin e Kosovës, ku qenë grumbullar masa
të mëdha kosovarësh. Për solidaritetin nuk ka kufij – thekson Papa – por duhet të
ketë gjithnjë koridore shprese. 11 prill 1999: - Duke uruar besimtarët ortodoksë
me rastin e Pashkëve, Shenjtëria e Tij kujton se në ato ditë sytë e besimtarëve ishin
plot me vdekje, prandaj bën thirrje që të heshtin armët e të rifillojë dialogu. 18
prill 1999 – Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa përsërit thirrjen
për paqe në Kosovë e në Jugosllavi.22 prill 1999: - Duke pritur në audiencë Fondacionin
Gorbaçov, Ati i Shenjtë rikujton nevojën për ndërhyrje në favor të paqes në Kosovë,
sepse situata e luftës rrezikon të destabilizojë gjithë Ballkanin.