2009-04-25 10:51:44

Octava Dies: Editorial i Atë Federiko Lombardit Kushtuar ‘Rregullës së Françeskut’.


(25.04.2009 RV)Këto ditë familja e madhe françeskane u mblodh në Kapitullin e Rrogozave e, më 18 prill, u prit në Kastel Gandolfo nga Papa Benedikti XVI. Ati i Shenjtë i priti me dashuri bijtë e Shën Françeskut e, duke u kujtuar zanafillën e Urdhërit e miratimin gojor të Rregullës së parë nga ana a Papës Inoçenci III, Ati i Shenjtë nënvizoi me forcë: “Françesku mund të mos kishte ardhur tek Papa. Grupe të shumta rregulltare formoheshin asokohe e disa prej tyre i kundërviheshin Kishës si institucion ose, së paku, nuk e kërkonin miratimin e saj. Ndërsa ai mendoi menjëherë të nisej për të lëshuar në duart e ipeshkvit të Romës, pasardhësit të Shën Pjetrit, veten e shokët e vet. E kjo flet qartë për shpirtin e tij të vërtetë kishtar. Atë ‘ne’ të vogël, që nisi me vëllezërit e parë, e konceptoi që në fillim brenda asaj ‘ne’ të madhe që ishte Kisha universale”. E pikërisht mbi këto fjalë të Papës e vë theksin drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi. Ta ndjekim editorialin e tij të kësaj fundjave:

 
“Kremtimi i 800-vjetorit të miratimit papnor të rregullës së parë të jetës françeskane, ishte një ngjarje që e meritonte fjalimin e bukur të Papës mbajtur më 18 prill, si dhe përsëritjen – në praninë e tij – të kushteve rregulltare nga shumë përfaqësues të familjeve françeskane.
Të gjithë shenjtorët e Kishës e morën Ungjillin si rregull të jetës së tyre, por në figurën e Shën Françeskut ai shkelqen me një tejdukshmëri të posaçme, deri në plagët e mundimeve e të dashurisë, që pasqyrojnë plagët e Krishtit. Në varfërinë, thjeshtësinë e dashurinë e Shën Françeskut, populli i krishterë njohu gjithnjë me lehtësi frymëzimin e vërtetë ungjillor e, edhe përtej kufijve të Kishës, njerëz të besojmave të ndryshme fetare e humane, e kapën menjëherë këtë mesazh të vërtetë e të fuqishëm dashurie e paqeje.
Një karizmë e jashtëzakonshme, pra, që i kapërcen kufijtë e kohës e që iu nënshtrua që në fillim gjykimit të autoritetit të Kishës, për të renditur – siç tha Papa – atë ‘ne’ të vogël të bashkësisë françeskane në fasha, me një ‘ne’ të madhe, atë të Kishës, që është një e vetme e universale. Sigurisht, fekonditeti i karizmës françeskane u sigurua e u shumëfishua me autoritet.
“Shko Françesk, rindërtoje Kishën time!” - i thotë i Kryqëzuari Varfanjakut. “Shkoni e vijoni ta rindërtoni shtëpinë e Zotit, Kishën e tij!” u thotë Benedikti XVI Bijve të Shën Françeskut, duke i ftuar ta shpëtojnë çdo njeri nga gërmadhat e mëkatit e t’i ndihmojnë barinjtë e Kishës për ta mbarështuar grigjën e Zotit.
Freski e përhershme e një thirrjeje, që është dhuratë për të gjithë. Ungjilli i vënë në jetë, për ta mbajtur gjithnjë të re Kishën e për t’i dhuruar paqen familjes njerëzore!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.