2009-04-25 17:54:08

I shtohen Kishës pesë shenjtorë të rinj


(26.04.2009 RV)Papa Benedikti XVI shpall shenjtorë pesë të Lumë, gjatë Meshës Solemne që do të kremtojë në Vatikan. Ata janë: Arkanxhelo Tadini, themelues i Kongregatës së Motrave Punëtore të Shtëpisë Shenjte të Nazaretit; Bernardo Tolomei, abat, themelues i Kongregatës së Shën Marisë së Malit Oliveto të Urdhërit të Shën Benediktit; Nunjo de Santa Maria Alvares Pereira, rregulltar i Urdhërit të Karmelitanëve; Geltrude Komensoli, virgjër, themeluese e Institutit të Motrave Sakramentine; Katerina Volpiçeli, virgjër, themeluese e Kongregatës së Shërbëtoreve të Zemrës së Krishtit.

Ja disa të dhëna biografike për secilin prej tyre:
Arkanxhelo Tadini, meshtar nga Bresha e Italisë, ka jetuar në periudhën 1846 – 1912. Njeri me iniciativë, meshtar i vërtetë, diti të ndërthurë me mençuri rrezikun dhe fenë, dashurinë për njerëzit dhe dashurinë për Zotin, rreptësinë dhe ëmbëlsinë.
Pas shugurimit, shkoi të shërbejë si vikar-bashkëpunëtor në Botiçino Sera të Breshës e aty qëndroi derisa vdiq, duke zbatuar frazën e parë, që u tha besimtarëve të grigjës së vet: “Do të rri me ju, do të jetoj me ju, do të vdes me ju”. Veprimtaria e tij në këtë zonë është shumë e gjerë dhe përfshin të gjitha fushat e jetës së Kishës. Në veçanti, në vitin 1900, Tadini themeloi Kongregatën e Motrave Punëtore të Shtëpisë Shenjte të Nazaretit, gra e vajza të shuguruara, por “punëtore me punëtoret”, që edukuan të rejat duke punuar bashkë me to, pa fjalime, duke dhënë shembullin se si fitohet buka me dinjitet e me djersën e ballit. Shkandull për atë kohë, kur mendohej se fabrikat ishin vende të rrezikshme, imorale dhe jo të përshtatshme për gratë. “Shenjtëria që na çon drejt qiellit është në duart tona – shkruan Tadini. Nëse e dëshirojmë, një gjë të vetme duhet të bëjmë: ta duam Zotin”. Besimtarët shpejt u mësuan ta quanin “Njëri prej nesh!”. Me shpllajen e tij shenjt, Papa Benedikti XVI u jep meshtarëve shembullin për t’u ndjekur, familjeve ndërmjetësuesin pranë Hyjit, punëtorëve mbrojtësin e tyre në qiell.

Bernardo Tolomei lindi në Sienë të Italisë më 10 maj 1272. Pavarësisht se fisnik, me titullin “kavalier” nga perandori Rudolfi I i Habsburgëve, pavarësisht se i shkolluar e me perspektiva të mëdha para vetes, sëbashku me dy fisnikë të tjerë, u tërhoq në Akona, 30 km larg qytetit, për të bërë jetën e eremitit në disa shpella shtufi, sipas shembullit të çisterçensëve. Shpejt u shtuan edhe persona të tjerë. Një ditë, ndërsa lutej, Bernardo Tolomei pa një shkallë, ku po ngjiteshin murgj të veshur me të bardha. Në krye të shkallëve i prisnin Jezusi e Shën Maria. Edhe të tjerë, shokë të lutjeve, panë të njëjtën gjë. Kjo qe shtysa, për lindjen e kuvendit të Shën Marisë së Malit Oliveto, sipas rregullës së Shën Benediktit, më 1 prill 1319. Tolomei nuk deshi të bëhej abat deri më 1 shtator 1322, kur sivëllezërit e tij ngulën këmbë aq shumë, sa nuk mundi të thoshte “jo”. Këtë detyrë e kreu deri në vdekje. Gjatë murtajës së vitit 1348, Bernardo shkoi në kuvendin e Shën Benediktit në Portën Tufi në Sienë, për të ndihmuar sivëllezërit e qytetarët e sëmurë. Mbeti edhe vetë viktimë e sëmundjes, sëbashku me 82 murgj. Tradita e fikson datën e vdekjes më 20 gusht 1348.

Dymbëdhjetë vjet pas vdekjes së Bernardo Tolomeit, në Portugali lind një nga heronjtë e ardhshëm kombëtarë të vendit, Nunjo Alvares Pereira, themelues i shtëpisë së Braganzës. Bir i paligjshëm fillimisht, e pas dekretit mbretëror, fisnik i respektuar, emërohet gjeneral në moshën 23 vjeçare. Komandati i ri i udhëheq trupat e Portugalisë në betejën e Atoleiros, pas së cilës Portugalia bëhet e pavarur nga mbretëritë e tjera të Gadishullit Iberik. Pas vdekjes të së shoqes, ai që ishte tashmë hero kombëtar, la shpatën për rroben e karmelitanit, në Lisbonë, në kuvendin e themeluar prej tij. Aty mori emrin fra Nunjo i Shën Marisë. Vdiq ditën e Pashkëve të vitit 1431, duke lënë pas kujtimin e njeriut të lutjes e të pendesës, bujar me të varfërit, i përkushtuar i Zojës.

Kalojnë 400 vjet e mbërrijmë te historia e një familje të borgjezisë së pasur të Napolit. Në të jetonte Katerina Volpiçeli, e cila rreth vitit 1860, në moshën 20 vjeçare, dëshiron të bëhet murgeshë, por nuk e lejojnë për shkak të shëndetit të ligësht. Largohet nga kuvendi i Adhurueseve të përhershme të Jezusit në Sakrament, por vazhdon të dëshirojë “bashkimin intim me Zotin”. Në vitin 1864 njihet me Shoqatën “Apostullimi i Lutjes”. Bëhet shpejt zëdhënësja numër një e saj në Napoli e sëbashku me shoqet që e ndoqën, themelon Institutin e Shërbëtoreve të Zemrës së Krishtit. Në ndryshim nga institutet femërore të kohës, të përqëndruara sidomos në kundrimin e Krishtit e në aktivitetet asistenciale, instituti i Katerina Volpiçelit bën ç’është e mundur për shenjtërimin e shpirtrave. Motrat nuk kanë një rrobe të vetën e janë të ndara në tri degë, një rregulltare e dy laike. Me studimin e teologjisë e shërbimin për Kishën paralajmëruan gati një shekull përpara, disa nga risitë e Koncilit II të Vatikanit.

Gati bashkëkohëse me Katerina Volpiçelin është një tjetër Katerinë, me mbiemrin Komensoli, që lindi në afërsitë e Breshës, më 18 janar 1847. Që e vogël ishte shumë e ndjeshme ndaj Eukaristisë, aq sa fshehurazi i afrohet priftit, në gjunjë, për të marrë, atë që ajo vetë më pas do ta quante “Kungimin sekret”. Në vitin 1866 hyri në Shoqërinë e Shën Anxhela Meriçit. I lindi ideja e një Instituti të Adhurueseve të Eukaristisë, të cilën Papa Leoni XIII ia ndryshoi, duke i sugjeruar të bashkonte adhurimin me edukimin e të rejave punëtore. Sëbashku me don Françesko Spinelin themelon në vitin 1882 në Bergamo, Institutin e “Motrave Adhuruese” dhe merr emrin Nënë Geltrude, por në vitin 1889 një problem financiar ndan dy Themeluesit. Motra Geltrude, sëbashku me 73 murgeshat që mbetën me të, vazhdojnë jetën murgare në Institutin e “Motrave Sakramentine të Bergamos”, ndërsa don Françesko e një grup tjetër rregulltaresh vazhdojnë veprën në Rivolta d’Ada. Geltrude vdiq më 18 shkurt 1903, në moshën 56 vjeçare.







All the contents on this site are copyrighted ©.