Faleminderit Papës Gjon Pali II për ç'ka bërë në favor të shqiptarëve.
(25.04.09 RV) Me rastin e 16 vjetorit të vizitës apostolike të Papës Vojtila
në Shqipëri, duam të kujtojmë me nderim të veçantë veprimtarinë e Papës Gjon Pali
II në favor të Shqipërisë, Kosovës e të shqiptarëve kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë
me fjalët që vetë Ati i Shenjtë pat thënë, së pari në sheshin Skënderbej të Tiranës,
në vizitën e tij të paharruar të 25 prillit 1993, gjatë së cilës shuguroi ipeshkvijtë
e parë shqiptarë të Kishës Katolike, pas komunizmit: Popull shqiptar, ec përpara
me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në
të janë mbjellur farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë
gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i
ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj
të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më
të çmuar shekullore shqiptare. E pastaj për Kosovën, sidomos kur në të ndizej lufta
shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre
trojeve, Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët
e vitit 1999, pati thënë: I lutem Zotit të ringjallur t’i japë dhuratën e paqes,
së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një
skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë
mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë
detyruar të ikin larg. Të mobilizohet solidariteti i të gjithëve, që më në fund të
flitet sërish për vëllazërim e paqe! Si të qëndrojmë pasivë para lumit të dhimbshëm
të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë? Në
këtë ditë të shenjtë, unë e ndjej për detyrë t’u drejtohem me një thirrje të zjarrtë
autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, që të lejojnë hapjen e një korridori
humanitar, i cili të mundësojë dërgimin e ndihmave për popullsitë e grumbulluara në
kufirin e Kosovës. Për veprat e solidaritetit nuk mund të ekzistojnë kufij; është
gjithnjë detyrë, hapja e korridoreve të shpresës. Në këtë ditë, dy vjet pas vdekjes
së Papës së madh Gjon Palit II, kombi shqiptar i bën homazh kujtimit dhe veprës së
tij në favor të shqiptarëve.