2009-04-24 17:13:16

Paraqitet libri i autorit Filip Anastasit “Atë Piu: zëri, historia e tij.”


(23.04.2009 RV)Pranë Radio Vatikanit u paraqit libri “Atë Piu: zëri, historia e tij” botuar nga shtëpia Padre Piu nga Pietrelçina. Autori i librit Filipo Anastasi, është përgjegjësi për informimin fetar të emisionit të lajmeve të RAI - radiotelevizionit italian. Në paraqitjen e librit - i cili është i pajisur edhe me një kompakt disk - mori pjesë ndër të tjerë edhe kardinali Anxhelo Komastri.
Po, si shprehet vetë shkrimtari? Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Unë do t’ju këshilloja nxehtësisht ta njihnit Atë Piun. Për të njohur një shekull të tërë duhet ta lexoni dhe ta dëgjoni, që është po e njëjta gjë.

Ndër dëshmitë që përmblidhen në kompakt diskun që shoqëron librin ka edhe dokumente unike siç është zëri i fratit nga Pietrelçina. Jemi në vitin 1967 dhe kjo është hera e vetme që Atë Piu pati pranuar të jepte një intervistë në qelën e vet fratnore. Intervistën e pati realizuar Franko Bukareli, i dërguar i Radio Vatikanit. Le ta ndjekim:

Atë Piu: Zoti ju shenjtëroftë

Gazetari: Si ndiheni?

Atë Piu: I dërrmuar.

Gazetari: Ju e dini se sa njerëz janë pranë jush nëpërmjet përzemërsisë, lutjes...

Atë Piu: Po, me zemër jam pranë të gjithëve. Kjoftë falendëruar Zoti, ju bekoj të gjithëve.

Gazetari: Dhe unë në emër të të gjithë dëgjuesve ju uroj, juve, Atë Pio, edhe njëqind vjet të tjera...

Atë Piu: Prap!

Gazetari: Zoti dhashtë që të vazhdoni veprat e Tija.

Atë Piu: Shko në paqë, Zoti të bekoftë.


Gjatë paraqitjes së librit kardinali Anxhelo Komastri kujtoi edhe episodin e ndodhjes së njëkohshme të Atë Piut në dy vende, episodin që ka si personazh kryesor gjeneralin Kadorna, i cili ishte shefi i shtabit i ushtrisë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore në frontin austriak:

“Pas disfatës së Kaporetos, ai gjindej në çadrën e vet. I kishte dhënë urdhër rojeve që asnjë të mos hynte sepse kishte marrë vendimin të vriste veten. Ndërsa ndodhej aty, një frat hyn dhe i thotë: “Ju nuk do ta bëni këtë gjë, apo jo? Nuk do ta bëni!” Pastaj frati zhduket. Gjenerali del nga çadra dhe pyet rojet: Mor, po kë lejuat të hynte? – “Asnjeri”, i përgjigjen rojet. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, gjenerali Kadorna shkon në San Xhovani Rotondo ku jetonte, në kuvend, Atë Piu. Kur kalojnë fretnit që shkojnë të këndojnë në kishë, kalon edhe Atë Piu, i cili sheh gjeneralin Kadorna dhe i thotë: Gjeneral, e patme pisk punën atë natë... Sigurisht që ngjarje të tilla të thonë se këtu ka gisht Zoti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.