2009-04-24 18:30:31

Papa pret Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes Arabe. Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit.


(24.04.2009 RV)RealAudioMP3 Sot pasdite, Benedikti XVI priti Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes Arabe, Amr Musa. Në takimin e përzemërt u diskutua mbi gjendjen në rajonin e Lindjes së Mesme e mbi argumente të tjera me interes dypalësh. Dje paradite, në Pallatin Apostolik në Vatikan, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Sekretarisë së Shtetit dhe Lidhjes së Shteteve Arabe. Për Selinë e Shenjtë, nënshkroi Sekretari për Marrëdhëniet me shtete, imzot Dominik Mambertì, ndërsa për Lidhjen Arabe, Sekretari i saj i përgjithshëm, Amr Musa. Kjo marrëveshje e re konsolidon më tej bashkëpunimin ndërmjet Vatikanit dhe Lidhjes, sidomos në nivelin politik e kulturor, në favor të paqes, të sigurisë e qëndrueshmërisë rajonale e ndërkombëtare. Gjithashtu, Memorandumi propozon mjete konsultimi ndërmjet palëve, duke treguar vëmendje të veçantë për iniciativat e dialogut ndërfetar. Të dëgjojmë nuncin apostolik në Egjipt, kryeipeshkvin Majkëll Ficxherald, i cili është edhe legat i Selisë së Shenjtë në Organizatën e Lidhjes së Shteteve Arabe:
Ky Memorandum Mirëkuptimi sigurisht që konsolidon marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Lidhjes Arabe. Ai përcakton dy fusha bashkëpunimi: kërkimin e paqes – veçanërisht kjo i intereson Selisë së Shenjtë, por edhe Lidhjes Arabe, e cila ka bërë shumë për të ndërmjetësuar, sidomos gjatë luftës në Irak – e pastaj, fusha e dytë, bashkëpunimi kulturor, dialogu i kulturave, dialogu i qytetërimit e edhe dialogu ndërfetar, që mund të realizohet me Lidhjen Arabe, e cila ka një departament për kulturën. Me Memorandumin e Mirëkuptimit duhet të shohim se ç’mund të bëjmë e ç’kontribut mund të japim sëbashku.
Sipas jush, për Lidhjen Arabe po bëhen përparësi marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë e me Kishën Katolike në përgjithësi?
Mendoj se Lidhja Arabe i vlerëson shumë deklaratat e Atit të Shenjtë dhe të personave të tjerë. Ajo mban parasysh edhe gjendjen e të krishterëve në vendet arabe, në interes të paqes e të zhvillimit të rajonit. Në këtë kuptim besoj se mund të shihen marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Lidhjes Arabe, të cilat kanë rëndësinë e vet për Lidhjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.