Papa do të presë Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes Arabe
(23.04.2009 RV)Papa Benedikti XVI do të presë në pasditen e nesërme, 24 prill,
për një audiencë private në Vatikan, sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Arabe, Amr
Musa. Takimi bëhet vetëm pak javë nga nisja e Papës për shtegtimin e tij në Tokën
Shenjte, udhëtim që do të përfshijë Izraelin, Palestinën e Jordaninë. Musa ndodhet
në Romë për një konferencë në kuadrin e presidencën italiane të G8-ës, e sot u takua
me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni. Nesër paradite do të pritet edhe nga
presidenti i Republikës Italiane, Xhorxho Napolitano. Lidhja Arabe është themeluar
më 22 mars 1945. Në momentin e lindjes së saj, selia e Lidhjes u vendos në Kajro,
por në vitin 1989, kur Egjipti nënshkroi marrëveshjen e paqes me Izraelin, duke njohur
kështu ekzistencën e tij, selia u zhvendos në kryeqytetin e Tunizisë. 7 anëtarëve
themelues të organizatës iu shtuan më vonë edhe 15 vende të tjera e 3 vëzhgues. Një
nga vëzhguesit më të çuditshëm, pasi nuk ka arabë në popullsinë e vet, është Venezuela
e Hugo Çavezit. Natyrisht, pjesëmarrja e saj në organizatën OPEC për naftën e afron
me arabët e përtej oqeanit.