2009-04-23 12:04:43

Konfrontimi ndërmjet fesë e arësyes për të arritur në gjykimin e qetë për fundin e jetës. Në Romë zhvillohet “Dialog në katedrale”.


(23.04.2009 RV)RealAudioMP3 “Kur përfundon jeta?”: ishte ky takimi i ciklit “Dialog në katedrale”, që u zhvillua këto ditë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran të Romës. Një reflektim mbi fundin e jetës, në një moment kur në Itali e gjetiu në botën perëndimore, po miratohen ligje mbi testamentin biologjik, apo mbi mënyrën se si njerëzit duan të kurohen në rastet, kur nuk janë të përgjegjshëm, për shkak të sëmundjes. Debati që ngjallën këto qëndrime vazhdon e qëllimi i takimit në Lateran ishte të arrinte në një vizion të përbashkët, që të qetësojë zemrat e njerëzve. Presidenti i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Rino Fizikela vuri në dukje rolin aktiv të Kishës, e cila ka të drejtë të ngrejë zërin e të japë mendimin e vet për argumentin delikat:
“Mbi këtë temë, feja e arësyeja mund e duhet të konfrontohen; e vërteta e njërës duhet të mbështesë atë që arrin tjetra, dhe sëbashku të arrihet në një gjykim, që të qetësojë ndërgjegjen, duke shmangur konflikte të tjera”.
Për kardinalin-vikar të Romës, Agostino Valini, dy janë pikat mbi të cilat duhet diskutuar:
“Nuk mund ta pranojmë eutanazinë e nuk mund ta pranojmë kurimin përtej kufijve. Në mes, ka një zonë gri, shumë delikate, mbi të cilën debatohet. Mendoj se shteti duhet të shprehë, në formën mohuese, një ligj minimal, që të thotë se ç’nuk duhet bërë”.
Debati mbi fundin e jetës ndan edhe bashkësinë shkencore, që me këtë term përmbledh një seri situatash klinike, të cilat shkojnë nga gjendja vegjetative e përhershme deri tek patologjitë degjenerative. Kur përfundon pra jeta për bioetikën? Flet kryetarja e Shoqatës “Shkenca dhe Jeta”, Maria Luiza Di Pietro:
“Përgjigjja është të vazhdojmë të kujdesemi gjithnjë për të sëmurin, për personin në përgjithësi, edhe atëherë kur nuk është e mundur të shërohet më. E nuk duhet lënë vetëm familja, pasi ku ka vetmi, ku ka frikë, ku ka braktisje mund të përhapen idetë për të hequr dorë nga jeta”.
Ndryshimi ndërmjet jetës biografike të personit dhe asaj biologjike u vu në dukje nga presidenti i nderit i Komitetit kombëtar për Bioetikën, prof. Françesko D’Agostino. Kur ky dallim bëhet i padurueshëm kthehet në kërcënim për jetën e personit:
“Kur biografia ka humbur çdo kuptim, mendohet se nuk duhet mbrojtur biologjia. Nëse një i sëmurë ka hyrë në fazën përfundimtare – pra, nga pikpamja biografike nuk mund të jetë më i pranishëm në botë – mendohet se është e kotë të luftojmë për t’ia siguruar jetën sa më gjatë. Gabimi antropologjik i kësaj perspektive është i pakufishëm, pasi niset nga ideja abstrakte se vetëm një subjekt me shëndet të mirë fizik mund të gëzojë një jetë të denjë për këtë emër, por e vërteta është krejtësisht e kundërt”.
Imzot Rino Fizikela shpjegoi së fundi, se pyetjeve të vështira si këto nuk mund t’u gjendet përgjigjia thjesht duke eliminuar gjithçka që arësyeja nuk arrin ta shpjegojë:
“Vetëm në masën me të cilën mund të japim një përgjigje ngarkuar me dashuri, vetëm atëherë do të jemi edhe në gjendje ta përballojmë pyetjen mbi kuptimin e dhimbjes e të vdekjes. Në të kundërt, çështja mbi kuptimin e jetës do t’i nënshtrohet gjithnjë shantazhit të absurditetit e nuk mund të takohet me njeriun në intimitetin e tij personal, që është i jetës, e jo i vdekjes”.
E fortë si vdekja, lexohen në Këngën e Këngëve, është në fakt dashuria: një ndjenjë tronditëse e shëlbuese.







All the contents on this site are copyrighted ©.