2009-04-23 15:56:32

Imzot Tomazi denoncon lidhjet ndërmjet racizmit e varfërisë, diskriminimet kundër të krishterëve e eugjenetikën


(24.04.2009 RV)RealAudioMP3 Përfunduan sot në Gjenevë punimet e Konferencës së OKB-së kundër racizmit, pas miratimit të rezolutës tri ditë më parë. Kombet e Bashkuara përjashtuan dje nga konferenca dy grupe hebraike dhe një iranian. Bashkimi Francez i Studentëve hebrenj dhe grupi Coexist, ndërprenë të hënën fjalimin e presidentit iranian, që shkaktoi kritika e debate në të gjithë botën. Ndërsa Instituti iranian Neda shpërndau material propagandistik ekstremist.
Në konferencë foli edhe përfaqësuesi i Vatikanit, imzot Silvano Maria Tomazi, i cili uroi që takimi të shënojë një hap përpara në luftën kundër diskriminimeve racore, ksenofobisë dhe intolerancës. Nga ana tjetër, ai nënvizoi se 8 vjet pas Konferencës së Durbanit, impenjimi ndërkombëtar kundër racizmit mbetet akoma jo i plotë. Pasi përsëriti qëndrimin e Selisë së Shenjtë kundër deklaratave ekstremiste të Iranit, prelati theksoi nevojën për të luftuar diskriminimet kundër grave e fëmijëve, shpesh viktima trafikësh e skllavërimi, diskriminimet kundër emigrantëve pa dokumenta, refugjatëve, të huajve në përgjithësi, që zgjojnë padrejtësisht frikë e madje edhe akte barbare, deri në genocid e spastrim etnik. Në veçanti, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së në Gjenevë foli për efektet shkatërruese të lidhjes ndërmjet racizmit e varfërisë. Ta dëgjojmë në mikrofonin tonë:
Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes varfërisë ekstreme dhe diskriminimit, prandaj duhet të gjejmë mënyrën që të respektohen të gjitha të drejtat e njeriut, duke përfshirë ato ekonomike e shoqërore. Sigurisht, kjo krizë ekonomike i bën të vujanë edhe më shumë të varfërit dhe i lë në kushte, që u hapin rrugën diskriminimeve më të mëdha.
Në Konferencën e Gjenevës u fol shumë për diskriminimet fetare, por jo për ato kundër të krishterëve…
Po. Në këtë moment, në botë, sipas të dhënave, 200 milion të krishterë vuajnë nga diskriminimi, burgosja e madje edhe dënohen me vdekje për hir të fesë. Në botë, bashkësia më e madhe fetare që diskriminohet është ajo e krishterë.
Ju folët edhe për eugjenetikën e diskriminimet para lindjes… vendoset kush duhet të vijë në botë e kush jo…
Po. Është e qartë se e drejta themelore që mbizotëron mbi të gjitha është e drejta për jetën e, kur kjo e drejtë mohohet, si në rastin e abortit, kemi të bëjmë me formën më radikale të diskriminimit.
Si i gjykoni rezultatet e Konferencës?
Miratimi i tekstit përfundimtar të Konferencës është shenjë shumë pozitive dhe rezultat jo i vogël, pasi u deshën muaj bisedimesh për të arritur në një tekst të pranueshëm nga grupi i shteteve perëndimore, nga ai i shteteve islamike e nga shtete të tjera, që marrin pjesë në Kombet e Bashkuara. Prandaj, do të thosha se ky është fryti i një përpjekjeje kolektive jo pak të rëndësishme, premtuese për të ardhmen, në kuptimin që marrëveshja e arritur për disa tema si liria e shprehjes, mbrojtja e të drejtave të besimtarëve e jo besimtarëve, njohja e antisemitizmit, dënimi i kristianofobisë e i islamofobisë, nevoja për të kujtuar Holokaustin si një tragjedi që duhet të na nxisë të parandalojmë fatkeqësi të tilla, këto e pika të tjera të marrëveshjes hapin dyert për të zvogëluar distancat edhe në fusha të tjera: si për shembull, në Këshillin e të drejtave të njeriut, ku tani mund të gjejmë një frymë më të mirë bashkëpunimi për të përballuar problemet e sotme.







All the contents on this site are copyrighted ©.