2009-04-23 15:55:54

Bindja ndaj Zotit na bën krejtësisht të lirë: tha Benedikti XVI në meshën kremtuar në Vatikan për besimtarët meksikanë.


(23.04.2009 RV)T’i bindesh Zotit nuk do të thotë t’i nënshtrohesh, as të zbatosh urdhëra, por të zgjedhësh atë që vjen nga Lart e qëndron në krye të të gjitha gjërave. Këtë nënvizoi Benedikti XVI në meshën e kremtuar sot paradite në Vatikan, në Kapelën Redemptoris Mater, me anëtarët e Komitetit organizator të Takimit VI Botëror të Familjeve, që u mbajt në Meksiko, janarin e kaluar. Delegacioni prej 85 vetësh i dhuroi Atit të Shenjtë një fotografi gjigante të vetë Papës, të formuar nga mozaiku i rreth 7 mijë fotografive të pjesëmarrësve në Takimin e Familjeve.
Papa Racinger kujtoi se kur Shën Pjetri e apostujt u pyetën nga Kryeprifti në Sinedër se pse vazhdonin të predikonin në emër të Jezu Krishtit, edhe pas vdekjes së tij, ata u përgjigjën: “Duhet t’i bindemi Zotit e jo njerëzve”. Por Fjala e Zotit, shpjegoi Ati i Shenjtë, na flet për një bindje, që lind nga bashkimi intim me Hyjin, që ka të bëjë me shikimin brenda vetes e nuk është thjesht zbatim urdhërash:
Queridos amigos, nuestros contemporaneos…
“Të dashur miq – u tha Papa besmitarëve meksikanë, të shoqëruar nga kryeipeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Karrera dhe nga kryetari i Këshillit Papnor për familjen, kardinali Enio Antoneli – bashkëkohësit tanë kanë nevojë ta zbulojnë këtë bindje, që nuk është teorike, por jetësore”. Do të thotë në fakt, “të zgjedhësh sjellje konkrete, të bazuara mbi bindjen ndaj dashurisë së Zotit, që na bën krejtësisht të lirë”. Për këtë, vërejti Ati i Shenjtë:
Las familias cristianas con su vida domestica…
“Familjet e krishtera me jetën e tyre shtëpiake, të thjeshtë e të gëzueshme, duke ndarë ditë për ditë gëzimin, shpresën, shqetësimet, e përjetuara në dritën e fesë, janë shkollë dëgjimi e vend lirie të vërtetë”. E ata që janë martuar prej vitesh, duke ndjekur planin e Zotit për ta – përfundoi Benedikti XVI – e dinë mirë se mirësia e Zotit ndihmon e inkurajon.







All the contents on this site are copyrighted ©.