2009-04-22 17:52:03

U Paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Festivali i shkencës në Ouerri të Nigerisë.


(22.4.2009 RV)RealAudioMP3 Një nismë, që tregon se Afrika është në zemrën e Kishës, pas udhëtimit të Papës në kontinent e, para Sinodit të ipeshkvijve në tetor. Kështu, atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit, paraqiti sot “Festivalin e shkencës”, që do të mbahet në Ouerri të Nigerisë, nga 24 prill deri më 2 maj. Takimi zhvillohet nën patronazhin e Këshillit Papnor të Kulturës e të Fondacionit Idis (Instituti për përhapjen dhe vlerësimin e kulturës shkencore) – Qyteti i Shkencës në Napoli.
Programi është i gjerë e do të përfshijë universitete, pedagogë, punonjës shkencorë e studentë, të cilët do të diskutojnë mbi tema të ndryshme, si ambienti, energjia, shëndeti, ushqimi, por edhe muzika. Njëri nga objektivat është krijimi i një qendre shkencore në qytetin nigerian të Ouerrisë. Nga Këshilli Papnor i Kulturës, foli kreu i dikasterit, imzot Xhanfranko Ravazi:
“Shkojmë aty jo për të bërë kërkime, por për të njohur shtigjet dhe rrugët që përshkon shkenca, si në nivelin e punës rigoroze kërkimore-shkencore, ashtu edhe në nivelin e përhapjes e vulgarizimit, po aq rigoroz”.
Imzot Ravazi kujtoi më pas impenjimin e Këshillit Papnor të Kulturës në analizën e marrëdhënieve të fesë me shkencën, të cilat, theksoi ai, sillen rreth një parimi të lashtë të Kishës, përmendur shpesh nga Benedikti XVI:
“Kthimi tek “logos”, tek arësyeja me rigorozitetin e saj metodologjik, epistemologjik, me identitetin e saj të thellë, në një epokë ku ndoshta mbizotëron më shumë “logo” (marka), ndërsa është më e rëndësishme të mbizotërojë “logos”.
Shkenca, kujtoi imzot Ravazi fjalët e Papës Gjon Pali II, mund ta pastrojë fenë nga gabimi e bestytnia, ndërsa feja mund ta pastrojë shkencën nga idhujtaria e nga absolutizmat e rreme.
Në fjalën e tij, presidenti i Fondacionit Idis-Qyteti i Shkencës, prof. Vitorio Silvestrini nënvizoi si lindi interesi për realitetin afrikan, duke vënë në dukje rolin e Mesdheut, urë me jugun e botës:
“Ne jemi në Jug të Evropës, e Mesdheu na ndan nga Jugu i botës. Derisa ndryshimet në fushën e mundësisë që na jepen, të pasurisë, të cilësisë së jetës ndërmjet dy brigjeve të Mesdheut do të mbeten kaq të mprehta e kaq të rënda siç janë tani, as për ne, që banojmë në anën e pasur, nuk është e mundur të mendohet në një zhvillimi të drejtë e të barabartë, në një të ardhme në paqe e një të ardhme të qëndrueshme”.
Shkenca e teknologjia pra, si mjete të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të kontinentit afrikan, por edhe nxitje për brezat e rinj, gjithnjë e më të interesuar për punën kërkimore-shkencore.







All the contents on this site are copyrighted ©.