2009-04-22 18:19:52

Sulmohet një Kishë në shtetin indian të Maharashtrës.


(22.04.20089 RV)Një grup fanatikësh hinduistë sulmuan e dëmtuan një kishë protestante në fshatin Saoner, 40 kilometra larg Nagpurit, në shtetin indian të Maharashtrës. Dhuna- njofton AziaNjuz – ndodhi të dielën, më 19 prillin e kaluar, në Douglas Memorial Church, ndërsa të krishterët luteshin gjatë një kremtimi fetar. Dy gra, që u përpoqën t’i ndalonin sulmuesit, mbetën të plagosura. Organizatat kryesore hinduiste, Vishwa Hindu Parishad dhe Bajrang Dal, nuk e pranuan autorësinë e sulmit, por pohuan se u krye nga hinduistët e zemëruar për shkak se shumë banorë të zonës po ndërrojnë fe. Gjatë sulmit u grisën disa libra lutjesh dhe një Bibël. E, pak minuta para sulmit, disa anëtarë të organizatës hinduiste Bajrang Dal, dorëzuan në polici një letër, përmes së cilës kërkohej ndërhyrja kundër ndërrimit të fesë dhe një lëvizje e fuqishme kundër Kishës, sepse interesohet posaçërisht për shtresat më të ligështa të shoqërisë. Sipas Abraham Matasit, zëvendës-kryetar i Komisionit për pakicat, policia duhet të kishte ndërhyrë menjëhere, sepse “E kishte për detyrë të vepronte, që grupi të mos arrinte tek Kisha”.
Edhe të krishterët e Mumbait, kryeqytet i Mahashatrës, u bashkuan me protestën, sapo morën vesh lajmin e sulmit kundër Kishës protestante. Kryeipeshkvi i Nagpurit, imzot Abraham Viruthakulangara pohoi se në Nagpur ka pasur gjithnjë mirëkuptim ndërmjet bashkësive të ndryshme. Armiqësia lindi si pasojë e akteve të dhunës – shtoi prelati - duke theksuar se sulmet tregojnë nënvleftësim të plotë për rendin ligjor.







All the contents on this site are copyrighted ©.