(22.04.2009 RV)Në fillim të audiencës së sotme të përgjithshme, Benedikti XVI
theksoi se kush dëshiron ta njohë Kishën e t’ia kuptojë misterin, duhet të njohë edhe
njerëzit që e jetuan e e jetojnë mesazhin e saj, misterin e saj. Prandaj – vijoi Ati
i Shenjtë – po flas prej kohe në katekizmat e së mërkurës, për njerëz nga të cilët
mund të mësojmë kush është Kisha. Filluam me Apostujt dhe me Etërit e Kishës e dalë-nga-dalë
arritëm në fund të shekullit VIII, periudhë e sundimit të Karlit të Madh. E sot
– vijoi Papa- dëshiroj të flas për Ambrozin Autpert, autor që, për fat të keq, mbeti
i panjohur: pjesa më e madhe e veprave të tij iu atribuan disa prej personaliteteve
më të njohura, që nga Shën Ambrozi i Milanos, tek Shën Hildefonsi, pa folur, pastaj,
për murgjërit e Montekasinos, që ngulnin këmbë se vepra e Autpertit kishte dalë nga
penda e njërit nga murgjërit me të njëjtin emër, të kësaj abacie, por që kishte jetuar
një shekull më vonë. Për jetën e Autpertit – vijoi Papa - kemi vetëm pak të dhëna
biografike, të cilat gjinden kryesisht në krye të komentit të tij të madh të Apokalipsit
(Zbulesës). Leximi i vëmendshëm i veprave, të cilat dalëngadalë kritika i njeh si
të dala nga penda e tij, na krijon mundësinë të zbulojmë në mësimin e murgut të panjohur,
një thesar të çmuar teologjik e shpirtëror, me vlerë edhe për kohët tona. I lindur
në Provansë, nga një familje në zë, Ambrozi Autpert, sipas një biografi të tij të
vonë, me emrin Gjon, jetoi ca kohë në oborrin e mbretit frank Pipinos së Shkurtër
ku, përveç detyrës zyrtare, u bë një një farë mënyre edhe mësuesi i perandorit të
ardhshëm, Karlit të Madh. Mendohet se në vitet 753-54 u nis nga oborri frank, bashkë
me grupin që shoqëronte Papën Shtjefni II, pas përfundimit të vizitës së këtij të
fundit në oborrin e mbretit, për në Itali. Këtu pati rastin të vizitonte abacinë benediktine
të Shën Vinçencit, pranë burimet e Volturnos, në dukatin e Beneventos. E themeluar
në fillimet e shekullit VIII nga tre vëllezërit beneventanë Palloni, Tatoni e Tasoni,
abacia njihej si oazë e kulturës klasike e kristiane. Pak pas vizitës së tij, Ambrozi
Autpert vendosi të bëhej rregulltar e hyri në këtë manastir, ku mundi të formohej
posaçërisht në fushën e teologjisë e të pëshpirtërisë, sipas traditës së Etërve të
Kishës. Rreth vitit 761 u shugurua meshtar e më 4 tetor të vitit 777 u zgjodh abat,
me ndihmën e murgjërve frankë, ndërsa longobardët ishin krejtësisht kundër kësaj zgjedhjeje,
sepse kërkonin që në fronin e abatit të ulej njeriu i tyre, longobardi Potoni. Tensioni
me sfond nacionalistik vijoi edhe pas zgjedhjes. I hidhëruar pa masë për këtë situatë,
një vit më pas, më 778, Autperti mendoi të jepte dorëheqjen e të strehohej, së bashku
me disa murgjër frankë, në Spoleto, ku mund të mbështetej në ndihmën e Karlit të Madh.
Por kjo nuk e paqtoi aspak situatën në manastirin e Shën Vinçencit, ku ndonjë vit
më vonë, pas vdekjes së abatit që zëvendësoi Autpertin, u zgjodh pikërisht Potoni
(viti 782). Kjo zgjedhje rindezi tensionin aq, sa u arrit që abati i ri të paditej
tek Karli i Madh. Mbreti e dërgoi përmbajtjen e padisë në gjykatën e Papës, i cili
i thirri të gjithë të paditurit në Romë. Thirri edhe Autpertin, si dëshmitar, por
ai, më në fund, u çlirua nga kjo ngatërresë, që ia tronditi seriozisht jetën, sepse
vdiq papritmas, ndoshta i mbytur, më 30 janar të viti 784.