2009-04-22 17:51:19

Miratohet njëzëri rezoluta përfundimtare e Konferencës “Durban 2” mbi racizmin


(22.4.2009 RV)RealAudioMP3 Konferenca e OKB-së mbi racizmin “Durban 2” miratoi dje në Gjenevë dokumentin përfundimtar, me një akt demonstrativ, njëzëri, para ditës së premte, kur rezoluta duhej të miratohej normalisht. Është përgjigjia e pjesëmarrësve kundër sulmeve të presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, i cili akuzoi si “regjim racist” Izraelin, vetëm dy ditë më parë.
Gjithsesi, konferenca, e bojkotuar nga dhjetë vende, do të vazhdojë punimet deri të premten, sipas parashikimit. Nga SHBA-të, që mungojnë në Gjenevë, presidenti Barak Obama dënoi sërish sot pohimet e Ahmadinexhadit, por theksoi se Uashingtoni do t’i vazhdojë përpjekjet për dialog me Teheranin.
Reagimi ndaj rezolutës është në përgjithësi pozitiv. Ajo është miratuar nga të gjtha vendet anëtare të OKB-së, me përjashtim të dhjetë prej tyre. Në tekst, deklaroi ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner “figuron çdo gjë që dëshirojmë, gjithçka duan vendet perëndimore” mbi antisemitizmin, luftën kundër diskriminimit të personave, mbi lirinë e shprehjes etj. “Flitet mbi genocidin, holokaustin, të drejtat e grave, trafikun e qënieve njerëzore, mbi të sëmurët nga Sida e ata me të meta fizike”, nënvizoi Kushner.
Teksti përfundimtar kaloi nëpër një debat shumë të fortë ndërmjet vendeve myslimane e atyre perëndimore, për shkak të divergjencave për çështjen e Lindjes së Mesme dhe për atë të “fyerjes së feve”. Siç kërkuan vendet perëndimore, rezoluta nuk e përmend as Izraelin, as fyerjen e feve. Paragrafi mbi Holokaustin u ruajt, pavarësisht nga protestat e Iranit. Dokumenti ndalet në aspekte të shumta të racizmit e të intolerancës, si të drejtat e pakicave etnike dhe të popujve indigjenë, luftën kundër ksenofobisë dhe diskriminimit ndaj emigrantëve, refugjatëve, grave dhe romëve.
Të dëgjojmë Vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi:
Mendoj se të gjithë u shqetësuan për të dhënë një shenjë të qartë se duhet të orientohemi mbi thelbin e dokumentit e të lemë mënjanë interpretime apo ngjarje politike të tjera. Mesazhi që jep dokumenti përfundimtar është se format e reja të racizmit, ksenofobisë e intolerancës janë të papranueshme dhe, se propozimet e bëra për të luftuar racizmin përmes mekanizmave të reja, përmes vullnetit të rinovuar të bashkësisë ndërkombëtare është rruga ku duhet të ecim. Prandaj, mbyllja e këtij kapitulli ka shkaktuar shumë kënaqësi dhe e ka liruar disi atmosferën e Konferencës.
Pra, imzot Tomazi, ju e gjykoni si pozitive përmbajtjen e rezolutës?
Dokumenti nuk është i përsosur, por respekton pikat kryesore të të drejtave të njeriut, hap rrugën për të vazhduar bisedimet në të ardhmen mbi disa tema, të cilat, për herë të parë, u pranuan universalisht. Nëse vazhdohet me vullnetin e mirë për të biseduar e për të mos hyrë në formula të veçanta paragjykimesh për një shtet apo tjetrin, ose diskriminimesh ndaj një grupi fetar apo tjetrit, sigurisht që mund të përmirësohen kushtet për luftën kundër çdo formë e shfaqje të racizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.