2009-04-21 12:21:58

Reagim i Selisë së Shenjtë ndaj fjalëve të presidentit iranian në Konferencën e Gjenevës: jo “qëndrimeve politike ekstremiste dhe fyese”.


(21.04.2009 RV)RealAudioMP3 Rifilluan sot paradite në Gjenevë të Zvicrës punimet e Konferencës së OKB-së mbi racizmin, e ashtuquajtura “Durban 2”, nga emri i qytetit ku u bë mbledhja e parë. Dje, presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad, me fjalimin e tij kundër Izraelit, shkaktoi një det me kritika për përmbajtjen antisemite të deklaratave. Sot, ai është pritur si hero në Teheran.
Ndërkaq, delegatët e 23 vendeve të Bashkimit Evropian, të pranishme në konferencë, reaguan ndaj fjalëve të kreut iranian, duke u larguar nga salla e konferencës. Gjithsesi, sot ato marrin pjesë në punime, me përjashtim të Republikës Çeke. Siç shpjegoi ministri i jashtëm francez, Kushner, deklarata përfundimtare, që do të miratohet kësaj radhe, është shumë e rëndësishme për ruajtjen e kujtimit të Holokaustit, për të drejtat e grave, apo të personave të sëmurë nga Sida, etj. Mbrëmë mbajti qëndrim edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ja deklarata e tij e plotë:
“Konferenca në vetvete është një rast i rëndësishëm për të çuar përpara luftën kundër racizmit dhe intolerancës. Ky është qëllimi për të cilin merr pjesë Selia e Shenjtë, që ka ndërmend të mbështesë përpjekjet e institucioneve ndërkombëtare për të bërë hapa përpara në këtë drejtim. Pjesa më e madhe e vendeve të botës merr pjesë në konferencë dhe, projektrezoluta e miratuar të premten e kaluar është e pranueshme, pasi u hoqën elementet kryesore që ngjallën kundërshtime.
Natyrisht, ndërhyrje si ajo e presidentit iranian nuk shkojnë në kahun e drejtë, pasi megjithëse nuk e mohoi Holokaustin dhe të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, pati shprehje ekstremiste dhe të papranueshme. Për këtë, është e rëndësishme të vazhdojmë të pohojmë qartë respektimin e dinjitetit të njeriut, kundër çdo racizmi dhe intolerance. Urojmë që Konferenca t’i shërbejë këtij qëllimi. Ky është sigurisht kuptimi i impenjimit të delegacionit të Selisë së Shenjtë në punime”.
Sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë saktësoi edhe më tej qëndrimin e Vatikanit. Para së gjithash kujtohen fjalët e Benediktit XVI në Mbretëreshën Qiellore të së dielës së kaluar, kur tha: “Uroj sinqerisht që delegatët e pranishëm në Konferencën e Gjenevës të punojnë së bashku me frymën e dialogut e të mirëkuptimit reciprok, për t’i dhënë fund çdo forme të racizmit, të diskriminimit e të intolerancës, duke bërë kështu një hap themelor drejt pohimit të vlerës universale të dinjitetit të njeriut e të drejtave të tij, në perspektivën e respektit e të drejtësisë për çdo njeri e çdo popull”.
Si rrjedhim, vazhdon nota e Vatikanit, Selia e Shenjtë dënon përdorimin e këtij forumi të OKB-së për të mbajtur qëndrime politike, ekstremiste dhe fyese kundër çdo lloj shteti. Kjo nuk kontribuon në dialog dhe shkakton konflikte të papranueshme. Ndërkaq, duhet vlerësuar një rast i tillë si i rëndësishëm për të dialoguar sëbashku, sipas linjës së veprimit që ka pasur gjithnjë Selia e Shenjtë për një luftë të frytshme kundër racizmit dhe intolerancës, të cilat edhe sot godasin fëmijë, gra, njerëz me prejardhje afrikane, emigrantë, popullsi indigjene, etj., në çdo anë të botës. Selia e Shenjtë, ndërsa rinovon thirrjen e Papës, siguron se kjo është fryma me të cilën delegacioni i saj është i pranishëm dhe punon në Konferencë.








All the contents on this site are copyrighted ©.