Me 20 prill kalendari kishtar kujton Shën Aniçetin, Papë.
(20.4.2009 RV)Të krishterët nuk kanë arriur akoma të merren vesh për kremtimin
e Pashkëve në të njëjtën ditë. Problem që mbetet ende i pazgjidhur, ndonëse përpjekjet
nisën që në vitet 140-145 nën papninë e Piut I. Piu I u përqoq ta zgjidhte problemin,
duke caktuar si ditë feste për të gjithë, të dielën e parë pas hënës së plotë të pranverës.
Por të krishterët e Lindjes vijuan ta kremtojnë solemnitetin në një datë të pandryshueshme
e pikërisht më 14 të muajit hënor Nisan, kur nisën të kremtoheshin Pashkët e hebrenjve. Papa
Aniçeti eci në gjurmët e Piut I, por nuk mundi ta zgjidhte problemin e datës së përbashkët.
U takua, për këtë, me ipeshkvin e Kishës lindore, Polikarpin e Smirnës. Diskutuan
për një kohë të gjatë, pa u marrë vesh, por u ndanë në paqe. Madje Aniçeti e rrethoi
ipeshkvin e Azisë (martir i ardhshëm) me shumë nderime e kujdese. Kështu vërtetë nuk
mundi ta njëjsojë datën, por e shpëtoi Kishën nga rreziku i një skizme të re për shkak
të saj. Ka shumë mundësi që Aniçeti të ketë ardhur në Romë nga Siria e, duke zënë
vendin e Piut I, ta ketë gjetur Kishën shumë të pështjelluar. E kjo, sepse para tij,
nga Lindja kishte ardhur në Romë teologu Marçione, i mirëpritur nga bashkësia romake
për bujarinë e edhe për moralin e tij të padiskutueshëm. Pikërisht ky teolog kishte
përhapur një teori të re, bazuar mbi një Zot që është Ati i Jezu Krishtit, por jo
Hyji i Besëlidhjes së Vjetër. Me një fjalë, fliste për dy Zota: njëri shëlbues e tjetri
gjykatës. Krijoi kështu çrregullime aq të mëdha në Romë, sa Polikarpi e quajti djali
i madh i Shejtanit. Aniçeti mendonte se doktrina luftohet me doktrinë, duke studiuar
më shumë për t’i udhëhequr si duhet besimtarët e sidomos, me shembull. Prandaj emëroi
një numër të madh meshtarësh e diakonësh, nga të cilët kërkoi të jepnin shembull të
mirë, që ta shikonin e ta ndiqnin të gjithë. I ndaloi rreptësisht meshtarët të silleshin
kot e të mbanin flokë të gjatë: të gjithë duhet t’i qethnin flokët shkurt e të punonin
jo me fjalë boshe, por me vepra, për mbretërinë e Hyjit. Dha vetë i pari shembull
të shkëlqyer, duke mbrojtur pastërtinë e doktrinës, pa frikë nga perskutimet, që nuk
i munguan. Jetoi 11 vjet me ankthin shpirtëror të Kishës universale, që ishte në
rrezik, që duhej shpëtuar e duhej nxitur me energji për të dalluar problemet kryesore
nga ato të dorës së dytë. Vdiq gjatë perskutimit, viktima të të cilit qenë edhe Shën
Justini e Shën Feliçita. Trupi i tij u varros në minierën pocolane, e cila më pas
u shndërrua në katakombet e Shën Kalistit.