2009-04-20 17:11:07

Kremtohen Pashkët ortodokse


(20.04.2009 RV)Rusët, bjellorusët, bullgarët, serbët, malazezët, maqedonët, grekët, qipriotët, moldavët, shqiptarët, ukrainasit, rumunët, koptët e disa pakica, kremtuan dje Pashkët ortodokse. Papa i kujtoi në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke u bërë urimet me fjalët:
“U drejtoj, sidomos, përshëndetjen time të përzemërt e urimet më të mira vëllezërve e motrave të Kishave lindore që, duke ndjekur Kalendarin Julian, i kremtojnë sot Pashkët. Zoti i Ngjallur përtëriftë në zemrat e të gjithëve dritën e fesë e u dhëntë gëzim e paqe”.
Në të gjitha vendet që kujtuam më lart, u kremtuan Meshët solemne, me ceremoninë e ‘zjarrit të shenjtë’, simbol i Ngjalljes së Krishtit.
Në Jeruzalem më se 10 mijë vetë morën pjesë në liturgjinë e kryesuar nga Patriku greko-ortodoks, Teofili III, që u kremtua në kapelën e vogël të bazilikës së Varrit të Krishtit.
Në Rusi, Mesha e madhe u kremtua për herë të parë në Katedralen cariste të Fiodorovskit, në Carskoje Sjello, seli verore e carëve, fare pranë Shën Pjetrburgut. Ndërtesa, përfunduar në vitin 1912, u mbyll e u shkatërrua pjesërisht nga bolshevikët, të cilët më pas e shndërruan në qendër për grumbullimin e qumështit. Vitet e fundit u rindërtua e iu kthye besimtarëve në gjithë shkëlqimin e parë, duke u shndërruar rishtas në qendër feje e përshpirtërie.
Rusia jugore i priti Pashkët me një Kulish vigan, për gatimin e të cilit u përdorën 300 kilogram miell, 1300 vezë, 100 kilogram sheqer e 65 kilogram gjalpë. Kujtojmë se Kulish në Urkainë quhet ëmbëlsira tipike e Pashkëve, një lloj perpeqi a qumështori, që dje u shijua nga të gjithë besmitarët në festë.







All the contents on this site are copyrighted ©.