2009-04-20 16:02:52

Diplomatët e OKB-së të interesuar për mendimin e Selisë së Shenjtë


(20.04.2009 RV)RealAudioMP3 Misioni i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara organizoi këto ditë një simpozium për të përkujtuar fjalimin e parë të Benediktit XVI para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mbajtur më 18 prill të vitit të kaluar. Morën pjesë diplomatë, profesorë dhe përfaqësues të klerit. Ish-ambasadorja e SHBA-ve pranë Selisë së Shenjtë, Meri En Glendon mbajti fjalimin kryesor. Ta dëgjojmë në mikrofonin tonë:
What was impressive to me…
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është se zëri i Selisë së Shenjtë në OKB respektohet shumë dhe shenja e këtij respekti është se jo vetëm e mbushën sallën kur erdhi Papa, një vit më parë, si edhe e duartrokitën në këmbë, por edhe se u kthyen pas një viti në një Seminar për të reflektuar e për të bërë pyetje mbi atë që tha. Është një lloj paradoksi, pasi nga njëra anë, organizata rrallëherë ndjek rekomandimet diplomatike të Selisë së Shenjtë, por nga ana tjetër, diplomatët janë të interesuar jo vetëm të dëgjojnë Papën, por dëshirojnë edhe të dëgjojnë mendimin e Selisë së Shenjtë, si vëzhguese e përhershme, për çështjet e mëdha të kohës sonë. Ka diçka që u intereson diplomatëve si individë, për të dëgjuar diskutime në një nivel më të lartë në krahasim me politikën e pushtetit.
E ç’është kjo “diçka”?
Well, I think the something is…
Mendoj se kjo “diçka” është shumë e qartë: është në thelbin e fjalimit të Papës dhe në qendër të diplomacisë së Selisë së Shenjtë në OKB. Është vendosja e njeriut në qendër të interesit të përgjithshëm. Papa flet për një ide të personit, që nuk është as rrënjësisht individualiste, as krejtësisht komunitare, në kuptimin e individit, që humb brenda masës. Diplomatët dëshirojnë që ndokush t’ua kujtojë misionin. Një vit më parë, Papa u tha se diplomacia është arti i shpresës. Mendoj se diplomatët duan të dëgjojnë se cilat janë idealet më të larta, që ata duhet të shërbejnë si përfaqësues të Kombeve të Bashkuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.