2009-04-20 17:14:54

Botohet programi i vizitës së Papës ndërmjet të dëmtuarve nga tërmeti në Abruco më 28 prill.


(20.04.2009 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi programin e hollësishëm të vizitës në Abruco, ku Benedikti XVI do të jetë më 28 prillin e ardhshëm, për të vizituar zonat e shkatërruara nga tërmeti.
Papa do të arrijë rreth orës 9.00 me helikopter pranë qytezës së çadrave në Ona, ku do të vizitojë të shpërngulurit e do të lutet për të vdekurit. Më pas, në orën 10.00, do të shkojë në Akuila e do të ndalet pranë bazilikës së Kolemagjios për të nderuar arkëzën ku ruhen reliket e Çelestinit V, mbi të cilën, në shenjë nderimi, do të vendosë një nga Paliot Papnore. Do të vizitojë edhe Shtëpinë e Studentit, nën gërmadhat e së cilës gjetën vdekjen tetë të rinj. Këtu Papa do të takohet me një grup studentësh, për të shkuar, në orën 10. 45, në kazermën e Rojës së Financës të Kopitos. Në sheshin para kazermës, Benedikti XVI do të ndalohet më parë me kryetarët e bashkive e famullitarët e vendeve më të dëmtuara nga tërmeti për një përshëndetje të shkurtër e, më pas, në orën 11.00, do t’u drejtojë një fjalim edhe besimtarëve e personelit të impenjuar në ndihmë të popullsisë, takim që do të përfundojë me lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore. E, para shtatores së Zojës së Roios, që njihet nga banorët si Zoja e Kryqit, sjellë aty me këtë rast, Papa do të vendosë një trëndafil të artë.
Rreth orës 12.00, Benedikti XVI do të riniset me helikopter, për të fluturuar mbi zonat e dëmtuara e për t’u rikthyer, së fundi, në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.