2009-04-20 17:17:11

“Durban 2”: Bota ndahet mbi racizmin


(20.04.2009 RV) Nëntë Vende bojkotojnë konferencën botërore të Gjenevës organizuar nga OKB-ja mbi racizmin, diskriminim racor e ksenofobinë. Konferenca që u hap sot në Zvicër, e pa botën të ndarë
Pas bojkotimeve, polemikat. Konferenca e OKB-së mbi racizmin u hap me lajmin se Izraeli tërhiqte ambasadorin e tij në Bernë, në shenjë proteste për takimin e së dielës mbrëma ndërmjet presidentit zviceran dhe atij iranian. Mahmud Ahmadinexhad nuk mungoi të përsërisë opinionin e tij ideologjik kundër Izraelit edhe në konferencë. Pa e përmendur me emër, edhe sot pasdite, ai denoncoi “formimin e një qeverie raciste në Lindjen e Mesme”, pas vitit 1945. Delegatët e Bashkimit Evropian, siç kishin premtuar, dolën nga salla. Që kur arriti në Gjenevë, kreu i Teheranit e quajti Tel Avivin “flamurtar të racizmit”.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun i hapi punimet pesëditëshe duke u ankuar për mungesat. “Jam thellësisht i pakënaqur – theksoi Ban Ki-Mun – që disa vende kanë vendosur të mos vijnë. E shpresoj të mos mbeten larg gjatë”.
Konferenca mbi racizmin, diskriminimin racor dhe ksenofobinë u bojkotua nga SHBA-të, Italia, Australia, Kanadaja, Hollanda, Polonia, Zelanda e Re dhe Gjermania. Të gjitha këto vende kanë frikë se mos takimi shndërrohet në një proces në distancë kundër Izraelit, ashtu siç ndodhi në mbledhjen e parë në qytetin afrikanojugor të Durbanit, ku Izraeli u akuzua si “shtet racist”.
Deklarata përfundimtare, hartuar nga diplomatët dhe miratuar të premten e kaluar, pas bisedimesh të vështira, nuk e përmend Izraelin dhe as territoret e pushtuara palestineze. Gjithashtu, nuk bën pjesë në të as koncepti i “fyerjes së feve”, që u mbrojt nga disa vende myslimane, por u kundërshtua nga perëndimorët, të cilët e konsideruan si përpjekje për kufizimin e lirisë fetare. Ndërkaq, nuk u ndryshua paragrafi mbi Holokaustin dhe mbi nevojën për të mos e harruar, pavarësisht nga opinioni i kundërt i Teheranit.







All the contents on this site are copyrighted ©.