Me 18 prill Kisha përkujton Shën Galdinin, ipeshkëv.
(18.04.2009 RV)Shtator 1847. Në Milanon, ende nën sundimin e Habsburgëve, hyn
ipeshkvi i ri, i pritur me duartrokitje të stuhishme, sepse italian, ndërsa paraardhësi,
austriak. Për nder të tij bëhen tre harqe triumfi, kushtuar Shën Ambrozit, Shën Karlit
e Shën Galdinit: por shkrimi për nder të këtij të fundit, shlyhet nga qeveria, sepse
të shtyn të nënkuptosh shumë gjëra. E kjo, nga që Galdini lidhet ngusht me luftërat
e Milanos dhe të qyteteve të tjera lombarde kundër Federikut I Barbarosa. Bir
i një familjeje fisnikësh të vegjël, Galdini lindi në vitin 1096 në Milano, ku u shkollua
dhe hyri në jetën kishtare. Në vitin 1160 ishte kryediakon i katedrales, pranë kryeipeshkvit
Obert, përkrah milanezëve. Në vitin 1162 shikon si shkatërrohet qyteti me urdhër të
perandorit. Së bashku me kryeipeshkvin, radhitet përkrah Aleksandrit III, zgjedhur
papë në vitin 1159 nga një pjesë e Kardinajve, në sa pjesa tjetër zgjidhte filo-gjermanin
Otavian de Montiçeli me emrin Viktori VI. Përçarje e thellë në Kishë? Papë e antipapë?!
Në Milano, Oberti shpalli skomunikimin e Federikut si përgjegjës i skizmës. Në vitin
1165 Galdini u emërua kardinal. Tani i duhet ta ndjekë papën në shtegtimet e tij e,
në mars të vitit 1166, së bashku me Obertin e Beneventos, ndodhej pranë Aleksandrit
III. Por gjatë këtij qëndrimi, Oberti vdiq e papa, në vend të tij, emëroi Galdinin.
Kryeipeshkvit të ri të Milanos iu desh të kthehej fshehurazi, i veshur si shtegtar,
në qytetin ku e prisnin rrënojat. Më 1167, pas shumë vitesh të tmerrshme, më në fund
rifilloi rindërtimi, një nga protagonistët e të cilit ishte ai vetë. Riorganizoi Kishën
në Lombardi, duke përforcuar besnikërinë e saj ndaj Aleksandrit III dhe duke planifikuar
ndihmat për të varfërit e vjetër e të rinj, të shtuar jashtë mase. Shkroi mbi
një rrasë fjalët, drejtuar administratorëve të vendit: “Ju jeni këtu vetëm për t’u
shërbyer të varfërve!”, ia shkuli nga kthetrat pasurinë e Kishës atyre që ishin mësuar
ta grabisnin; rindërtoi katedralen, me ndihmën e grave milaneze, të cilat hoqën nga
fyti e nga gishtat ato pak stoli të çmuara, që kishin mundur t’i shpëtonin nga plaçkitjet
e ushtarëve të Federik Barbarosës. E rinisi t’i mësonte popullit lutje e këngë të
denja për lumninë e Zotit. Predikoi pa pushim, madje vdiq duke predikuar në predikatoren
e Kishës së Shën Teklës, më 18 prill 1176. Po në këtë vit Lidhja Lombarde fitoi betejën
e Lenjanos e ipeshkvi u shpall shenjt nga vetë Aleksandri III. E në shekullin XIX
Manzoni e quajti me emrin e tij fratin e veprës së famshme ‘Të fejuarit’. Mbeti në
kujtesë të Milanos edhe për ‘bukën e të varfërve’, e cila vijoi të quhej ‘buka e Shën
Galdinit’.