Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve in ‘Albis’ kushtuar Mëshirës
Hyjnore.
(18.4.2009 RV) Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet
biblike të dielës së dytë të Pashkëve, të cilën të diele, që nga viti 2000 Papa Gjon
Pali II ia besoi Mëshirën Hyjnore. Pra këtë të diele Kisha kremton festën e Mëshirës
Hyjnore. Në këtë të dielë na shoqëron e udhëheq Gjoni ungjilltar, ndoshta sepse
duke jetuar më shumë se apostujt e tjerë, ka qenë dëshmitar se si dalëngadalë po në
mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme është përhapur në botë feja në Krishtin e Ngjallur
Zot. Kështu pra, në të dielën e dytë të Pashkëve, liturgjia dëshiron të na ndihmojë
ta thellojmë misterin e Ngjalljes, ngjarjen qendrore, vendimtare, të fesë sonë të
krishterë. Të dielën e kaluar, liturgjia na paraqiti këtë ngjarje në vete, ndërsa
këtë herë synon të na ndihmojë ta kuptojmë se çfarë është NGJALLJA e KRISHTIT e si
mund të nxjerrim fryte prej saj në jetën e përditshme. Tekstet biblike që liturgjia
na propozon këtë të diele, janë të përshkuara e të mbushura me mahnitje, mrekullim
dhe na thërrasin të gëzohemi. Po tani t’i dëgjojmë leximet biblike të dielës së dytë
të Pashkëve. Vënë në dukje temën e fesë dhe rrjedhojat e saj. Leximi i parë
i kësaj së diele, marrë nga Veprat e Apostujve na përshkruan jetën e bashkësisë së
parë kristiane, të themeluar pas Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht, e cila bashkësi
kremtonte së bashku eukaristinë, lutej së bashku e kështu ndër besimtarë rritej atmosfera
e vëllazërimit dhe e bashkëndarjes të të mirave materiale e shpirtërore. Kështu, në
bashkësinë e parë kristiane kemi tri elemente apo shenja dalluese që karakterizojnë
nxënësit e Jezusit: „gjestet apostolike të shoqëruara me simbole; forca e dëshmisë
dhe shembulli i jetës“. Motivi i fesë e frymëzon edhe leximin e dytë, marrë nga
letra e Shën Gjonit apostull: „kushdo beson se Jezusi është Biri i Zotit, ka forcë
për ta mbizotëruar botën, për ta mundur botën e për t’i mposhtur forcat e errëta të
së keqës“. Pjesa e Ungjillit, së fundi, është një shpallje thelbësore e fesë
pashknore dhe na paraqet Jezusin, i cili në mbrëmje të ditës së Pashkëve iu dëftua
apostujve e atyre u bëri dhuratën e madhe të paqes së vet. Kështu, Pashkët, Ngjallja
e Krishtit bën thirrje për ta ndryshuar, ripërtërirë jetën tonë duke marrë e pasur
si pikë referimi dashurinë e Zotit. Pashkët me siguri janë pikarritjeje, por gjithmonë
mbetën edhe pikënisje e kthimit tonë që duhet të ripërtërihet vazhidimisht e që na
ndihmon të rizbulojmë në jetën e përditshme veprat e mrekullueshme të dashurisë së
Zotit. Me pak fjalë, në këto të diele, liturgjia e Fjalës së Zotit na propozon
e në të njëjtën kohë, na bën t’i rijetojmë në mënyrë më intensive dhe emocionuese
takimet e para të Jezu Krishtit të Ngjallur me nxënësit e vet, përmes fesë e dashurisë.
Pashkët lindin fenë e feja lind dashurinë: këtu qëndron e tërë porosia ungjillore.
Në duart e Tomës apostull janë të gjitha duart tona, ne që kemi besuar pa i prekur
plagët e Krishtit, por kemi besuar sepse të tjerët i kanë prekur, para nesh. Kështu
thotë poezia e një autori anonim të shek. XIII: „Kam ecur gjatë, o Zot, për të
Të kërkuar: po ti nuk më lejove të të gjeja! Cka është njeriu, nëse nuk ecën me Dikë?
Atëherë u nisa në kërkim të vetes sime: po ende jam me duar të zbrazta. Së fundi vendosa
ta kërkoja të afërmin tim. Dhe ja, duke u takuar me të, i kam gjetur që të tre“! Po
tani të dëgjojmë leximet biblike të dielës së dytë të Pashkëve. Të
dashur vëllezër e motra, sipas një tradite të vjetër, e diela e sotme njihet
me emrin e Diela in ‘Albis’. Në këtë të dielë të pagëzuarit e Natës së Pashkëve mbanin
akoma veshjen e bardhë, simbol i dritës, që Zoti u kishte dhuruar në Sakramentin e
Pagëzimit. Më pas e hiqnin veshjen e bardhë, por ndriçimin që u qe komunikuar, duhet
ta pasqyronin në jetën e tyre të përditshme; dritën e së vërtetës e të së mirës që
Zoti ua kishte ndezur ndër zemra, duhet ta ruanin e ushqenin me kujdes, për t’i dhënë
botës tonë pakëz dritë nga drita e mirësia e Zotit. Ati i Shenjtë Gjon Pali
II deshi që kjo e dielë të kremtohej si Festë e Mëshirës Hyjnore: në fjalën ‘mëshirë’,
gjente të përmbledhur e të shpjeguar përsëri gjithë misterin e Shpërblimit. Ai jetoi
nën dy regjime diktatoriale dhe, në kontakt me varfërinë, mungesat e dhunën, provoi
thellësisht pushtetin e errësirës, që sundon edhe mbi kohët tona. Por provoi edhe,
e më fuqimisht, praninë e Zotit që u kundërvihet gjithë këtyre forcave të errëta
me pushtetin e tij krejtësisht të ndryshëm e hyjnor: me pushtetin e mëshirës. Është
pikërisht kjo mëshirë që i vë kufi së keqes. Në të gjen shprehjen e vet natyra krejt
e posaçme e Hyjit – shenjtëria e Tij, fuqia e së vërtetës dhe e dashurisë. Katër
vjet më parë, pas Lutjeve të para të Mbrëmjes të kësaj Feste, Gjon Pali II përfundonte
jetën e vet tokësore. Duke vdekur, ai hyri në dritën e Mëshirës Hyjnore nga e cila,
përtej kufijve të vdekjes e duke u nisur nga Zoti, sot na flet në një mënyrë krejt
të re. Kini besim – na thotë – në Mëshirën Hyjnore! Bëhuni ditë për ditë burra e gra
të mëshirës së Hyjit! Mëshira është petku i dritës që na dhuroi Zoti në Pagëzim. Nuk
duhet ta lemë këtë dritë të shuhet; përkundrazi, ajo duhet të rritet në ne ditë për
ditë për t’i çuar kështu botës lajmin e gëzuar të Zotit. Në leximin e parë
të kësaj së diele na tregohet se, në zanafillën e Kishës në fasha, njerëzit i mbartnin
të sëmurët ndër sheshe në mënyrë që, kur të kalonte Pjetri, t’i mbulonte hija e tij:
mendonin se kjo hije kishte forcë shëruese. E kjo hije, në të vërtetë, vinte nga drita
e Krishtit e prandaj kishte në vetvete diçka nga forca e mirësisë së Tij hyjnore.
Hija e Pjetrit, përmes bashkësisë së Kishës katolike, u shtri mbi jetën e meshtarëve
si hije e mirë , hije shëruese, sepse vjen nga vetë Krishti. Pjetri ishte njeri e,
prej këndej, me të gjitha ligështitë njerëzore, por mbi të gjitha, ishte njeri përplot
me besim të pasionuar në Jezusin e Ngjallur, ishte përplot me dashuri për Të. E pikërisht
përmes fesë e dashurisë së tij, forca shëruese e Krishtit, forca unjësuese, arrinte
tek njerëzit, ndonëse e përzjerë me gjithë ligështinë e Pjetrit. Ta kërkojmë edhe
sot hijen e Pjetrit, në se duam të jemi në dritën e Krishtit. Kështu mund të themi
se lindja e rilindja; familja tokësore e familja e madhe e Hyjit – kjo është dhurata
e madhe e mëshirës së pambaruar të Zotit, themeli mbi të cilin mbështetemi. Në
fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës Apostull
me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh –
e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më
të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta
në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e
Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria që ka për ne.
Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Jezusit vijojnë
t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si
na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për
detyrë të plagosemi për Të në dashuri e me dashuri. Mëshira e Zotit na shoqëron
ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. E pranuar. Shpesh,
jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar,
si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë ndaj Krishtit të Gjallë, ndonëse
është aq e ngushtë sa të zerë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë e
i mëshirshëm është Zoti me ne, se si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla
e të përditshme, për të na ndihmuar të arrijmë kështu tek vlerat e mëdha hyjnore.
Gjatë jetës sonë tokësore, Zoti na jep vazhdimisht edhe ndihmën e nevojshme për të
mbartur çdo ditë kryqin e për t’ia arritur cakut përfundimtar, bashkimit me Të në
jetën e amshuar! Dua ta përfundoj këtë homeli me lutjen e Papës Leoni i Madh:
“Luteni Zotin tonë të mirë, që në ditët tona të na e forcojë fenë, ta shumfishojë
dashurinë e ta shtojë paqen.. Amen.