Kisha feston katër vjetorin e Papnisë së Benediktit XVI.
Më 2005, ishte ora 17. 50 e datës 19 prill, katër vjet më parë: nga oxhaku i Kapelës
Sikstine nisi të dalë një tym me ngjyrë të papërcaktueshme. Pastaj, papritmas, tymi
u bë krejt i bardhë. Ishte zgjedhur Papa! Nisi kështu papnia e Benediktit XVI, që
u thirr për të zënë vendin e Gjon Palit II, i cili i priu Kishës për afro 27 vjet.
Papa Racinger, i 265-ti Vikar i Krishtit, Papa i tetë gjerman në histori, në katër
vjet shërbimi papnor ka takuar me miliona njerëz, ka bërë shumë shtegtime italiane
e ndërkombëtare: ndërmjet tyre, kujtojmë vizitën në Aushvic e në Xhaminë Blu të Turqisë,
në OKB-së, në Francë, në Afrikën e së shpejti do të shtegtojë në Tokën e Shenjtë.
Ka shkruar Enciklikën ”Deus caritas est”; Nxitjen Apostolike mbi Eukaristinë, librin
“Jezusi i Nazaretit” e shumë shkrime tjera. Ja disa nga momentet këtyre katër vjetëve
të Papnisë së Benediktit XVI: Habemus papam …. – është njoftimi që dha
dy vjet më parë kardinali protodikaon, Horhe Arturo Medina Estevez. Teologu i ri
Jozef Racinger dëshironte t’i shërbente Zotit duke u bërë mësues… lutja e të përvujtit
përshkon retë.. u bë katekist i botës: “Të dashur vëllezër e motra, pas Papës
së madh, Gjon Palit II, zotërinjtë kardinaj më zgjodhën mua, punëtorin e përvujtë
e të thjeshtë të vreshtës së Zotit”. (Fjalët e para të Benediktit XVI) Thjeshtësia
është një nga tiparet kryesore të Benediktit XVI: fjala e tij është e qartë, e qetë,
e thellë, prek zemrat e tund ndërgjegjet. E butë dhe e fortë njëkohësisht. Flet për
ligështinë e tij. E na kërkon të lutemi për të, që të mësojë t’i dojë të gjithë, që
të mos ikë nga frika, përballë ujqërve. E na kujton se është Zoti ai, që e mbart Kishën
e se edhe ne duhet ta mbartim njëri-tjetrin, të gjithë, duke përfshirë edhe papën. Ky
është misteri i Kishës shtegtare në histori - drejt Zotit të vet - Kishës, e cila
sot falënderon Zotin Jezus, pse i dha një Bari të përvujtë e buzëqeshur, që e nisi
shërbimin e tij duke e drejtuar me dashuri në shtigjet e shpresës: “Dashuria
për armikun është bërthama e ‘revolucionit të krishterë’, revolucion që nuk bazohet
mbi strategjitë e pushtetit ekonomik, politik ose mediatik. Revolucioni i dashurisë,
i një dashurie që nuk mbështetet plotësisht mbi forcat njerëzore, por është dhuratë
e Hyjit, fitohet vetëm duke ia besuar vetveten pa asnjë kusht mirësisë së tij të mëshirshme.
Ja e reja e Ungjillit, që e ndryshon botën pa bërë zhurmë. Ja heroizmi i të vegjëlve,
që besojnë në dashurinë e Zotit dhe e përhapin atë edhe me çmimin e jetës së tyre,
duke coptuar kështu zinxhirët e padrejtësisë”. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 18.
02. 2007). Benedikti XVI thekson me forcë arsyetimin e fesë, duke ftuar edhe ata
që nuk besojnë në dialogun e madh të së vërtetës: Zoti i Jezusit është aq pambarimisht
i mirë, aq i vogël e aq i madh, sa t’i bindë të gjithë: “Në se vështrojmë rrugëzgjidhjet
e mëdha, zgjedhja e rrugës së krishterë është edhe sot më racionalja e më njerëzorja.
Prandaj mund të përpunojmë me besim një filozofi, një vizon të botës, që bazohet mbi
këtë përparësi të arsyes, mbi besimin se Arsyeja krijuese është dashuri e se kjo dashuri
është Hyji”. (Takimi me të rinjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, 06. 04. 2006) Fjalimi
i rëndësishëm në Universitetin e Regensburgut, i keqinterpretuar nga mjetet e komunikimit,
të cilat vunë theksin mbi marrëdhëniet me Islamin, në të vërtetë i drejtohej sidomos
botës perëndimore: ishte ftesë për të zgjeruar horizontin e arsyes, të cilin kultura
moderne e ngushton vetëm në ato gjëra që mund të vërtetohen përmes eksperimentit,
duke e bërë këtë botë të paaftë për të dialoguar me kultura e fe të tjera. Papa i
nxit të gjithë të riprovojnë shijen e reflektimit dhe, duke iu drejtuar posaçërisht
të rinjve, t’i bëjnë vetes pyetjen e madhe mbi Zotin, të kërkojnë fytyrën e tij: “Të
dashur miq të rinj – sa rëndësi të madhe ka kjo, pikërisht sot: të mos ia lejojmë
vetes të luhatemi nga fryn era; të mos kënaqemi me atë që mendojnë, thonë e bëjnë
të gjithë. Të hetojmë rreth vetes në kërkim të Zotit. Të mos lejojmë që në shpirtin
tonë të zhduket dëshira për ta gjetur Zotin. Dëshira për Atë që është gjëja më e madhe.
Dëshira për ta njohur Atë – fytyrën e Tij…”. (Mesha në të ‘Dielën e Larit’, 01.
04. 2007) Kisha – pohon Papa – nuk ka interesa e nuk kërkon privilegje: dëshiron
vetëm të kumtojë Krishtin e të mbrojë njeriun, të mbrojë më të vegjlit nga dhuna e
më të mëdhenjve. Prej këndej, Benedikti XVI numëron parimet që nuk mund të vihen në
diskutim, duke theksuar se mbrojtja e jetës, e familjes dhe e të drejtës së prindërve
për të edukuar fëmijët nuk janë parime konfesionale, por të shkruara në vetë natyrën
njerëzore. Mbi këto çështje – vëren Papa – ndërgjegjja, nganjëherë e mposhtur nga
mjetet e presionit kolektiv, nuk tregon vigjilencën e duhur. E prej këndej shpjegon
pasojat shkatërrimtare të relativizmit, duke kritikuar absolutizmin dogmatik të atyre
laicistëve të cilët duan t’i heqin Kishës të drejtën që të shprehet lirisht. Paditë
shkandullin e varfërisë e të urisë, padrejtësitë e krijuara nga një farë globalizimi;
neokolonializmin e vendeve të pasura, trafikun e armëve që vijon, në një atmosferë
indiference pothuajse të përgjithshme. Ka posaçërisht për zemër Afrikën, Tokën Shenjte
e i kushton vëmendje të posaçme Kinës, në sa nënvizon sa i rrezikshëm është për Evropën
mohimi i rrënjëve të krishtera, gjë që do të thotë mohim i vetvetes. Shikon të keqen
në botë e cila, pavarësisht nga progresi i bërë – nuk është mundur aspak; madje duket
se pushteti i saj bëhet edhe më i fuqishëm, me gjithë përpjekjen e kotë për ta fshehur
pas maskash. Na mëson se vuajtja është një mister, të cilin Zoti e shpjegoi me
Kryqin e të Birit: “Krishti, duke vuajtur për të gjithë ne, i dha një kuptim
të ri vuajtjes; e vuri në një përmasë të re, në një rend të ri: në atë të dashurisë...
Është pikërisht vuajtja ajo që e djeg e e bën hi e pluhur të keqen me flakën e dashurisë
- e nxjerr edhe nga mëkati, një lulëzim shumëformësh të së mirës... Çdo vuajtje njerëzore,
çdo dhimbje, çdo sëmundje, ka në vetvete premtimin e shëlbimit” (Takimi me Kurien
Romake, 22. 12. 2005). Papa punon papushuar për ekumenizmin dhe dialogun me fetë
e tjera, posaçërisht, me Islamin: është nevojë jetike, thotë. Mendimi i tij është
udhëheqës e konsekuent: i nxit katolikët të mos lëkunden, të mos e veçojnë Krishtin
nga Kisha, të mos e pranojnë falsitetin e kompromiseve, as atë që sot quhet ‘e keqja
më e vogël’. I fton të rizbulojnë heshtjen, meditimin e Biblës, lutjen, adhurimin
eukaristik, duke u larguar nga çdo lloj aktivizmi të zbrazët: “Lutja nuk është
një element ndihmës, nuk është optional, por është çështje jete a vdekjeje. Vetëm
ai që lutet, do të thotë që e lëshon plotësisht vetveten në dorë të Zotit me dashuri
bijore, mund të hyjë në jetën e amshuar, që është vetë Zoti”. (Lutja e Engjëllit të
Tënzot e 04. 03. 2007). Feja nuk është barrë që të shtyp: madje të varesh
nga Zoti, do të thotë të jesh vërtetë i lirë, ndërsa nënshtrimi ndaj vullnetin e tij
‘të jep krahë për të fluturuar lart’ dhe e shkëput ‘unin’ tonë nga izolimi, për ta
bërë ‘një në Krishtin’: Zoti është dashuri e dashuria e tij është e fshehta
e lumturisë sonë. Por për të hyrë në këtë mister dashurie, nuk ka rrugë tjetër, përveç
asaj të Kryqit”. (Audienca e përgjithshme e 21. 02. 2007) Benedikti XVI transmeton
paqe, sepse e shuan etjen në burimin e paqes: në Zotin, Atin e Mirë, i cili nuk na
braktis kurrë, as në ditët më të errëta të jetës: “Bota jonë është botë e frikës:
frikës nga mjerimi e nga varfëria, frikës nga sëmundjet, nga vuajtjet; frikës nga
vetmia, frikës nga vdekja. Mund edhe të rrëzohemi, por në fund të fundit biem në duart
e Hyjit. E duart e Hyjit janë duar të mira”.(Vizita në Famullinë e Shën Marisë Ngushëlluese,
18. 12. 2005).