Çaste nga jeta e së Lumes Kateri Tekakuita, në festën e saj liturgjike.
(17. 04. 2009 RV)"Tekakuitaaaaa!”. Plaka irokeze e thërret të mbesën me sa
zë që ka. “Po ku humbi, moj xhane, kjo përtace e keqe!?”. Një vajzë e re afrohet,
e mërzitur nga klithmat e plakës e hyn në kasolle.“Ende s’e more vesh, moj Ganantaha!
Tekakuita nuk punon sot: për të krishterët është ditë kushtuar Zotit. Mbesa jote është
duke u lutur në kishën e ndërtuar nga zhgunamurrtët, meshtarët e të krishterëve”. Tërbimi
i plakës arrin kulmin. “Çdo shtatë ditë më duhet të dëgjoj të njëjtën histori. Një
ditë e tërë fare pa punë! Bukuri! Me që nuk do ta fitojë bukën e gojës, të rrijë pa
ngrënë”. “Mos fol kështu, Ganantaha”, përgjigjet fqinja, “Kjo është thjeshtë padrejtësi.
Tekakuita punon pa pushim, nga agu në muzg, për ty e për tët shoq. Të gjithë e admirojnë
për mirësjelljen e për guximin e saj”. “Po ti, pse i fut hundët aty ku nuk të takon?
Unë e Onsegongu u treguam tepër të mirë me të. E morëm në shtëpinë tonë që të vogël,
pasi i vdiqën prindërit. I jati ishte një luftëtar i madh. Ai, po, qe irokez i vërtetë.
Ndërsa e ëma, për fat të zi, u kthye në fenë e zhgunamurrtëve: si e ëma, ashtu e bija.
Mbesa jonë e vogël shpëtoi gjallë nga lija, por e humbi pothuajse fare dritën e syve.
Prandaj ia ndërruam edhe emrin: quhej Ylli i vogël i qiellit, pastaj u bë Tekakuita,
‘ajo që ecën me çap të pasigurt’. S’lamë gjë pa bërë, për ta larguar nga zhgunamurrtët,
por ajo qerratuce, me ta se me ta”. Jemi në vitin 1676 e Tekakuita, njëzetvjeçare,
sapo mori Pagëzimin. Tani ka një emër të krishterë: quhet Kateri, sipas shqiptimit
irokez të emrit Katerina. Por për paganët mbetet gjithnjë Tekakuita. Kateri është
një lloj hirusheje në familjen, që e bëri bijë në shpirt. Gjithnjë në punë, ndonëse
e brishtë; e gjithnjë e shfrytëzuar në familjen e re, që e shikon tepër shtrembër
kthimin e saj në fenë e krishterë. Plaka e plaku bënë çmos ta shkëpusnin nga Kisha,
por nuk ia dolën. Vajza ishte tepër ëmbël, por edhe e vendosur. E përballoi tërbimin
e ligësinë me gjithë mirësjelljen e mundshme. Gjithsesi, një ditë u lodh nga trajtimi
i padrejtë e kështu vendosi të ikë nga shtëpia e të strehohet tek një i krishterë,
shtëpia e të cilit ishte disa ditë udhë larg. Për të arritur, duhet të udhëtoje në
këmbë e me barkë. Atje Katerin e priste një gëzim i papërshkrueshëm. Gjeti disa nga
mikeshat e së ëmës. Edhe ata kishin ikur, sepse pagantë ua kishin bërë jetë skëterrë.
Kështu Kateri u bë murgesha e parë lëkurkuqe e Kanadasë. Papa Gjon Pali II e shpalli
të Lume më 22 qershor 1980.