2009-04-17 17:10:59

Sekretaria e Shtetit të Vatikanit shpreh keqardhjen per protestën e Belgjikës pas fjalëve të Papës për Sidën.


(17.04.2009 RV)RealAudioMP3 Ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës, sipas udhëzimeve të Ministrit të Punëve të Jashtme, i bëri të njohur Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shetet, Rezolutën me të cilën Dhoma e Përfaqësuesve e vendit të tij kërkoi nga qeveria belge të dënojë deklaratat e papranueshme të Papës me rastin e shtegtimit të tij në Afrikë e të protestojë zyrtarisht pranë Selisë së Shenjtë. Takimi u mbajt me 15 prill.

Sekretaria e Shtetit e priti me keqardhje të thellë një hap të tillë, të pazakontë në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Mbretërisë së Belgjikës, duke u çuditur se si Asambleja Parlamentare e quajti të arsyeshme ta kritikojë Atin e Shenjtë mbi bazën e separatit të një interviste të prerë e të shkëputur nga konteksti, e cila u përdor nga disa grupe me qëllim të qartë frikësues, gati sikur të donin ta bindnin Papën të mos shprehet për disa tema, spikatja morale e të cilave është e natyrshme, është të mësosh doktrinën e Kishës.
Siç dihet, Ati i Shenjtë, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me efektshmërinë dhe karakterin realist të qëndrimeve të Kishës në luftën kundër Sidës, deklaroi se rrugëzgjidhja duhet kërkuar në dy drejtime: nga njëra anë, në humanizimin e seksualitetit e, nga ana tjetër, në miqësinë dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar njerëzit që vuajnë, duke nënvizuar edhe impenjimin e Kishës në të dyja fushat. Pa një përmasë të tillë morale dhe edukative, beteja kundër Sidës nuk mund të fitohet.
Ndërsa në disa vende të Evropës fillonte një fushatë e tërbuar mediatike e pashembullt mbi vlerën e madhe, për të mos thënë të pakundërshtueshme, të prezervativit në luftën kundër Sidës, na ngushëllon fakti se vlerësimet me karakter moral të Atit të Shenjtë u kuptuan e u vlerësuan, posaçërisht nga afrikanët e nga miqtë e vërtetë të Afrikës, por edhe nga disa anëtarë të bashkësisë shkencore. E në një deklaratë të kohëve të fundit të Konferencës Ipeshkvnore Zonale të Afrikës Perëndimore (CERAO) shkruhet: “Jemi mirënjohës për mesazhin e shpresës që Ati i Shenjtë erdhi t’ia besojë Kamerunit e Angolës. Erdhi të na inkurajojë të jetojmë të bashkuar, të pajtuar, në drejtësi e paqe, me qëllim që Kisha në Afrikë të jetë pishtar i ndritshëm shprese për jetën e mbarë Kontinentit. E falënderojmë, prandaj, që na e propozoi përsëri të gjithëve, me qartësi e mprehtësi, mësimin e përbashkët të Kishës në fushën e veprimtarisë baritore me të sëmurët nga Sida”.







All the contents on this site are copyrighted ©.